1Jakobi banoi në tokën e Kanaanit, aty ku kishte banuar edhe i ati.
2Kjo është historia e Jakobit: Jozefi ishte shtatëmbëdhjetë vjeç e kulloste dhentë bashkë me vëllezërit. Ai ishte ndihmësi i bijve të Bilhës e Zilfës, dy grave të të atit. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq të vëllezërve të vet.
3Izraeli e donte Jozefin më shumë se bijtë e tjerë, se e kishte birin e pleqërisë. Ai i bëri Jozefit një tunikë shumëngjyrëshe.
4Kur vëllezërit panë se ati i tyre e donte më shumë se ata, e urryen Jozefin e nuk i flisnin dot me të mirë.
5Jozefi pa një ëndërr dhe, kur ua tregoi vëllezërve, ata e urryen edhe më shumë.
6Ai u tha: «Dëgjoni ëndrrën që pashë.
7Po mblidhnim dorëza gruri në mes të fushës. Kur ja, dorëza ime u ngrit e qëndroi drejt. Ndërsa dorëzat tuaja u mblodhën përreth e u përkulën me nderim para dorëzës sime».
8Atëherë vëllezërit i thanë: «A thua do të bëhesh mbreti ynë e do të sundosh mbi ne?!». Kështu, ata e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave e fjalëve të tij.
9Jozefi pa edhe një ëndërr tjetër e ua tregoi vëllezërve të vet: «Pashë një ëndërr tjetër. Dielli, hëna e njëmbëdhjetë yje po më përkuleshin me nderim».
10Kur ia tregoi të atit e vëllezërve, i ati e qortoi e i tha: «Ç'është kjo ëndërr! A po thua që unë, jot ëmë e vëllezërit e tu do u përkulkemi gjer në tokë para teje?!».
11Vëllezërit e patën zili, kurse i ati e mbajti në mend këtë gjë.
Vëllezërit shesin vëllanë12Vëllezërit shkuan në Shekem për të kullotur dhentë e atit të tyre.
13Atëherë Izraeli i tha Jozefit: «Vëllezërit e tu po kullotin dhentë në Shekem. Ngrihu e shko tek ata!». Ai u përgjigj: «Gati jam!».
14Izraeli i tha: «Shko, shih a janë mirë vëllezërit e dhentë e më kthe përgjigje». Kështu, e dërgoi Jozefin nga lugina e Hebronit dhe ai mbërriti në Shekem.
15Atje gjeti një njeri që po sillej nëpër fushë, i cili e pyeti: «Çfarë po kërkon?».
16Jozefi iu përgjigj: «Po kërkoj vëllezërit e mi. Më trego, ku po kullotin».
17Njeriu i tha: «Kanë ikur që këtej, por unë i dëgjova që thoshin: “Të shkojmë në Dotan”». Atëherë Jozefi shkoi pas vëllezërve e i gjeti në Dotan.
18Ata e panë Jozefin që larg dhe para se të afrohej kurdisën një plan për ta vrarë.
19I thanë njëri-tjetrit: «Ja, po vjen ky ëndërrimtari!
20Ejani tani, ta vrasim e ta hedhim në një gropë e të themi se e shqyen egërsirat. Atëherë do të shohim sa i vlejnë ëndrrat!».
21Rubeni i dëgjoi dhe e shpëtoi Jozefin prej duarve të tyre, kur u tha: «Mos t'ia marrim jetën».
22Ai shtoi: «Mos derdhni gjak! Hidheni në këtë gropë, në shkretëtirë, por mos vini dorë mbi të». Ai donte ta shpëtonte nga duart e tyre që t'ia kthente të atit.
23Kur Jozefi mbërriti te vëllezërit, ata e zhveshën. Pasi ia zhveshën tunikën shumëngjyrëshe që mbante veshur,
24e morën dhe e hodhën në një gropë. Gropa ishte bosh e pa ujë.
25Pastaj u ulën të hanë bukë. Kur ngritën sytë, panë një karvan ishmaelitësh që po vinte nga Gileadi e po shkonte për në Egjipt me deve të ngarkuara me rrëshirë, balsam e mirrë.
26Atëherë Juda u tha vëllezërve: «Çfarë përfitimi kemi nëse e vrasim vëllanë e ia fshehim kufomën.
27Ejani, t'ua shesim ishmaelitëve e të mos vëmë dorë mbi të, se është vëllai e gjaku ynë».
28Kur tregtarët midianitë kaluan andej, e nxorën Jozefin nga gropa e ua shitën ishmaelitëve për njëzet sikla argjendi. Ata e çuan Jozefin në Egjipt.
29Rubeni u kthye te gropa, por Jozefi nuk ishte atje. Atëherë shqeu rrobat,
30u kthye te vëllezërit e u tha: «Djali nuk është më atje! Kah t'ia mbaj unë tani?».
31Pastaj morën tunikën e Jozefit dhe e zhytën në gjakun e një cjapi që therën.
32Ia sollën tunikën shumëngjyrëshe të atit e i thanë: «Gjetëm këtë! Shikoje mirë! A është e djalit tënd apo jo?».
33Ai e njohu tunikën e tha: «Është tunika e tim biri. E paskan ngrënë egërsirat. Copë-copë ma paskan bërë Jozefin!».
34Atëherë Jakobi shqeu rrobat e veta, vuri një grathore rreth ijëve dhe e vajtoi të birin për një kohë të gjatë.
35U ngritën për ta ngushëlluar të gjithë bijtë e bijat, por ai nuk donte të ngushëllohej e thoshte: «Duke vajtuar do të zbres në skëterrë, tek im bir». Kështu e vajtoi ati të birin.
36Ndërkohë midianitët e shitën Jozefin në Egjipt. Ia shitën Potifarit, oborrtarit të faraonit, komandantit të rojave.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.