2 Samuelit 5 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Davidi vajoset mbret i Izraelit

1Të gjitha fiset e Izraelit shkuan te Davidi në Hebron e i thanë: «Ja, ne jemi kocka jote dhe mishi yt.

2Edhe në të shkuarën, kur Sauli ishte mbret mbi ne, ti i prije Izraelit. Zoti të tha: “Ti do ta kullotësh popullin tim, Izraelin, e ti do të jesh udhëheqësi i Izraelit”».

3Atëherë të gjithë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David bëri besëlidhje me ta në Hebron, para Zotit. Ata e vajosën Davidin mbret mbi Izraelin.

4Davidi ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi dyzet vjet.

5Ai mbretëroi në Hebron, mbi Judën, për shtatë vjet dhe në Jerusalem, mbi mbarë Izraelin dhe Judën, për tridhjetë e tri vjet.

Pushtimi i Jerusalemit

6Mbreti shkoi me njerëzit e tij në Jerusalem të sulmonte jebusitët, banorët e vendit. Ata i thanë: «Nuk ke për të hyrë, se edhe të verbrit e të çalët do të të zmbrapsin!». Ata mendonin se Davidi nuk mund të hynte dot.

7Por Davidi e pushtoi fortesën e Sionit që u quajt Qyteti i Davidit.

8Atë ditë Davidi tha: «Kush sulmon jebusitët të dalë te hullia e kroit e të godasë të çalë e të verbër që Davidi i urren me shpirt». Prandaj thuhet: «I verbri dhe i çali nuk do të hyjnë në tempull».

9Davidi u vendos në këtë fortesë, prandaj u quajt Qyteti i Davidit. Ai e rindërtoi qytetin përreth, nga Miloja e më tej përbrenda.

10Davidi bëhej gjithnjë e më i fuqishëm dhe Perëndia i ushtrive ishte me të.

11Hirami, mbreti i Tirit, i dërgoi Davidit lajmëtarë, drurë cedri, marangozë e muratorë. Dhe ata ndërtuan një shtëpi për Davidin.

12Atëherë Davidi e mori vesh se Zoti e kishte caktuar mbret të Izraelit dhe se mbretëria e tij ishte lartësuar për hir të popullit të tij, Izraelit.

13Davidi mori të tjera gra e shemra në Jerusalem, pas kthimit nga Hebroni, dhe lindi bij e bija të tjera.

14Këta janë emrat e atyre që i lindën në Jerusalem: Shamuai, Shobabi, Natani, Solomoni,

15Ibhari, Elishuai, Nefegu, Jafiai,

16Elishamai, Eliadai dhe Elifeleti.

Fitorja kundër filistinëve

17Kur filistinët e morën vesh se Davidi ishte vajosur mbret mbi Izrael, të gjithë shkuan për ta kërkuar. Davidi e mori vesh e shkoi në fortesë.

18Filistinët mbërritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit.

19Davidi u këshillua me Zotin e tha: «A të dal kundër filistinëve? A do të m'i lësh në dorë?». Zoti iu përgjigj Davidit: «Dil, e do të t'i lë në dorë».

20Davidi u ngjit në Baal Peracim dhe i mundi aty. Atëherë Davidi tha: «Zoti i çau armiqtë e mi siç çahet uji». Prandaj ai vend quhet Baal Peracim.

21Filistinët i lanë aty idhujt e tyre dhe ato i morën Davidi dhe njerëzit e tij.

22Filistinët sulmuan edhe një herë dhe u përhapën në luginën e Refaimit.

23Davidi u këshillua sërish me Zotin dhe ai i tha: «Sillu rrotull e dilu para nga Bekaimi.

24Kur të dëgjosh zhurmën e rreshtores, në majë të Bekaimit, hidhu në sulm, sepse Zoti ka dalë para teje për ta goditur fushimin e filistinëve».

25Davidi bëri siç e urdhëroi Zoti dhe i shpartalloi filistinët nga Geba gjer sa del në Gezer.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help