Zanafilla 3 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Mosbindja e Adamit dhe e Evës

1Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që Zoti Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?».

2Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë,

3por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”».

4Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo,

5sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t'ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen».

6Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t'u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai.

7Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve.

8Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi mes pemëve të kopshtit.

9 Zoti Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?».

10Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha».

11Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?».

12Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra».

13Zoti Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra».

14 Zoti Perëndi i tha gjarprit:

«Për këtë që bëre,

mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra.

Mbi bark do të zvarritesh

e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde.

15Armiqësi do të shtie mes teje e gruas,

mes farës tënde e farës së saj

që do të ta shtypë kokën,

ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën».

16Gruas i tha:

«Shumë dhimbje barre do të të jap

e me mundim do t'i lindësh fëmijët.

Burrin tënd do ta dëshirosh,

por ai do të sundojë mbi ty».

17Adamit i tha:

«Meqë dëgjove gruan

e hëngre nga pema

që të urdhërova

të mos hash,

mallkuar qoftë toka për shkakun tënd!

Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate.

18Gjemba e ferra do të prodhojë për ty

e bimët e fushës do të hash.

19Me djersën e ballit

do ta nxjerrësh bukën e gojës

derisa të kthehesh në dhe,

se prej tij u nxore,

pluhur je

e në pluhur do të kthehesh».

20Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve.

21Zoti Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata.

22Pastaj Zoti Perëndi tha: «Ja, njeriu u bë si një nga ne. Ai njeh të mirën e të keqen. Nëse tani zgjat dorën dhe merr e ha edhe nga pema e jetës, do të jetojë përjetë».

23Prandaj Zoti Perëndi e nxori jashtë kopshtit të Edenit që të punojë tokën prej së cilës u mor.

24E dëboi njeriun dhe në lindje të kopshtit të Edenit vendosi kerubët dhe një shpatë flakëruese që vringëllon për të ruajtur udhën për te pema e jetës.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help