1Saraja, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë fëmijë. Ajo kishte një skllave egjiptiane që quhej Hagarë.
2Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ja, Zoti më ka bërë beronjë. Fli me skllaven time e ndoshta prej saj do të kem fëmijë». Abrami ia dëgjoi fjalën Sarajës.
3Dhjetë vjet pasi Abrami banoi në tokën e Kanaanit, Saraja, gruaja e Abramit, mori Hagarën, skllaven e saj egjiptiane e ia dha për grua Abramit, burrit të saj.
4Ai fjeti me Hagarën e ajo mbeti shtatzënë. Kur pa se kishte mbetur shtatzënë, ajo filloi ta shpërfillte zonjën e saj.
5Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ti je përgjegjës për këtë fyerje. Isha unë ajo që ta lëshova në krahët e tu skllaven time e kur ajo pa që mbeti shtatzënë filloi të më shpërfillë. Zoti gjykoftë mes meje e teje!».
6Por Abrami i tha Sarajës: «Ja ku e ke skllaven tënde. Bëj me të si të duash». Atëherë Saraja u soll ashpër me Hagarën e ajo iku prej saj.
7Engjëlli i Zotit e gjeti Hagarën pranë një burimi në shkretëtirë, te burimi udhës për në Shur.
8Ai i tha: «Hagarë, skllavja e Sarajës, nga po vjen e ku po shkon?». Ajo u përgjigj: «Po largohem nga zonja ime, Saraja».
9Engjëlli i Zotit i tha: «Kthehu te zonja jote e nënshtroju asaj».
10E i tha: «Do t'i shumoj pasardhësit e tu aq shumë saqë nuk do të mund të numërohen».
11Engjëlli i Zotit i tha:
«Ja, ti je shtatzënë, do të lindësh djalë
e do ta quash Ishmael,
se Zoti e dëgjoi vuajtjen tënde.
12Ai do te jetë si gomar i egër mes njerëzve.
Dora e tij do të jetë kundër të gjithëve
e dora e të gjithëve kundër tij.
E do të jetojë në kundërshti me vëllezërit e tij».
13Atëherë ajo thirri emrin e Zotit, që i foli, e tha: «Ti je Perëndia që këqyr, se këtu pashë me të vërtetë atë që këqyr».
14Prandaj edhe burimi quhet Ber Lahaj Roi e ndodhet mes Kadeshit e Beredit.
15Hagara i lindi Abramit një djalë dhe Abrami e quajti, djalin e lindur nga Hagara, Ishmael.
16Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç kur Hagara i lindi Ishmaelin.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
