Psalmet 39 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Davidit.

2Thashë: «Do t'i ruaj udhët e mia,

që të mos mëkatoj me gjuhën time.

Gojës sime do t'i vë fre,

sa të jetë i paudhi para meje».

3Heshta e nuk fola,

asnjë fjalë të mirë nuk thashë,

e dhimbja ime rëndohej.

4Kur zemra m'u ndez përbrenda

e mendimet më përvëlonin,

atëherë m'u zgjidh gjuha e fola.

5Ma bëj të njohur, o Zot, fundin tim,

numrin e ditëve të mia,

përkohësinë time.

6Ja, ti i pakësove ditët e mia sa një pëllëmbë,

jetëgjatësia ime s'është asgjë para teje,

çdo njeri i gjallë s'është veçse kotësi. selah

7Vërtet, njeriu kalon si hije,

të kota janë mundimet e tij,

grumbullon pasuri,

pa e ditur për kë i mbledh.

8E tani, ç'mund të pres, o Zot?

Shpresën e kam te ti.

9Çliromë prej të gjitha fajeve

e mos lejo të më tallë i marri.

10Po hesht e gojën s'po e hap,

sepse këtë e ke bërë ti.

11Largoje prej meje fshikullimin tënd,

po marr fund nën peshën e dorës sate.

12Njeriun e qorton e ia ndëshkon paudhësinë,

si tenja ia bren çdo gjë që dëshiron.

Të gjithë njerëzit janë veç kotësi. selah

13Dëgjoje lutjen time, o Zot,

e vëri vesh përgjërimit tim!

Mos hesht ndaj lotëve të mi,

se i huaj jam te ti,

shtegtar si të gjithë paraardhësit e mi.

14Largoje vështrimin tënd prej meje,

që të mund të gëzoj sërish,

para se të shkoj e të mos jem më.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help