Jozuehu 17 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Trojet e Manaseut

1Manaseu, i parëlinduri i Jozefit, mori me short tokat që i përkisnin atij. Makiri ishte i parëlinduri i Manaseut e ati i Gileadit. Ai ishte luftëtar i shquar dhe mori për pronë Gileadin e Bashanin.

2Edhe pasardhësit e tjerë të Manaseut morën tokat e tyre, sipas klaneve, pasardhësit e Abiezerit, të Helekut, të Asrielit, të Shekemit, të Heferit e të Shemidait. Këta ishin pasardhësit meshkuj të Manaseut, birit të Jozefit.

3Celofehadi, biri i Heferit, të birit të Gileadit, të birit të Makirit, të birit të Manaseut, nuk kishte bij, por vetëm bija. Ato quheshin Mahla, Noa, Hogla, Milka e Tirca.

4Ato u paraqitën te prifti Eleazar, te Jozuehu, biri i Nunit, e te prijësit e popullit e u thanë: «Zoti i ka urdhëruar Moisiut që të na jepet edhe neve trashëgimi ndër vëllezërit tanë». Jozuehu u dha edhe atyre pjesë ndër vëllezërit e atit të tyre, siç kishte thënë Zoti.

5Kështu, Manaseut i takoi të marrë edhe dhjetë pjesë toke, përveç tokës së Gileadit e Bashanit, që mori përtej Jordanit.

6Bijat e Manaseut, morën edhe ato trashëgimi mes bijve të tij. Toka e Gileadit u bë pronë e pasardhësve të tjerë të Manaseut.

7Kufiri i Manaseut fillonte nga Asheri në Mikmetat, kundruall Shekemit e kthente djathtas drejt banorëve të En Tapuahut.

8Krahina e Tapuahut i përkiste Manaseut, ndërsa vetë Tapuahu, që ndodhej në kufi të tokës së Manaseut, u përkiste pasardhësve të Efraimit.

9Pastaj kufiri zbriste për në përroin e Kanës. Megjithatë qytetet në jug të përroit i përkisnin Efraimit edhe pse ndodheshin mes qyteteve të Manaseut. Prej andej kufiri kalonte në veri të përroit e dilte në det.

10Tokat që shtriheshin në jug i përkisnin Efraimit, ndërsa tokat që shtriheshin në veri i përkisnin Manaseut. Kufiri mes tyre ishte deti. Në veri kufizohej me Asherin, ndërsa në lindje me Isaharin.

11Në tokat e Isaharit e të Asherit, Manaseu zotëronte edhe Bet Sheanin me fshatrat përreth, Ibleamin me fshatrat përreth, Dorin me fshatra e banorë, Endorin me fshatra e banorë, Tanakun me fshatra e banorë, e Megidonë me fshatra e banorë, gjithsej tri krahina kodrinore.

12Pasardhësit e Manaseut nuk arritën t'i pushtonin të gjitha këto qytete, sepse kananitët u treguan të vendosur për të banuar në atë vend.

13Kur izraelitët u bënë më të fortë, i kthyen kananitët në robër pune, por nuk i dëbuan plotësisht.

14Pasardhësit e Jozefit folën me Jozuehun e i thanë: «Përse na ke dhënë për pronë vetëm një pjesë toke? Zoti na ka bekuar e jemi bërë popull i madh».

15Jozuehu u tha: «Meqenëse jeni bërë popull i madh e jeni ngushtë në krahinën malore të Efraimit, shkoni në pyll e hapni tokë të re për veten tuaj në tokat e perizitëve e refaitëve».

16Pasardhësit e Jozefit i thanë: «Krahina malore nuk na mjafton dhe të gjithë kananitët që banojnë nëpër lugina kanë qerre hekuri, si ata që banojnë në Bet Shean e në fshatrat përreth, edhe ata të luginës së Izrelit».

17Atëherë Jozuehu i tha pasardhësve të Jozefit, pra, fisit të Efraimit e Manaseut: «Ju jeni një popull i madh e shumë i fortë, prandaj dhe nuk keni për të pasur vetëm një pjesë toke.

18Krahina malore e mbuluar me pyje do të jetë e juaja. Do ta shpyllëzoni e do ta pushtoni të gjithën. Kananitët do t'i dëboni, pavarësisht se kanë qerre hekuri e janë të fortë».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help