Zanafilla 49 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Jakobi bekon të bijtë

1Jakobi i thirri të bijtë e u tha: «Ejani t'ju tregoj se çfarë do t'ju ndodhë në ditët që po vijnë:

2Mblidhuni e dëgjoni, o bijtë e Jakobit,

dëgjojeni Izraelin, atin tuaj!

3O Ruben, i parëlinduri im,

ti, fuqia e fryti i parë i burrërisë sime,

i epërm në krenari e fuqi,

4i rrëmbyer si uji, mos paç epërsi,

se u shtrive në shtrojën e atit tënd dhe e fëlliqe.

Mbi shtratin tim ai u shtri.

5Simeoni e Levi vëllezër janë

e për dhunë shpatat i kanë!

6Në kuvendin e tyre mos marrtë pjesë shpirti im

e në mbledhjet e tyre mos qoftë nderi im.

Se nga zemërimi vranë njerëz

e dema gjymtuan si deshën.

7Mallkuar qoftë zemërimi i tyre i tërbuar

e mëria e tyre mizore.

Te Jakobi do t'i ndaj

e nëpër Izrael do t'i shpërndaj.

8O Judë! Ty, do të lavdërojnë vëllezërit e tu.

Mbi zverkun e armiqve të tu

do të jetë dora jote.

Para teje do të përkulen bijtë e atit tënd!

9Pjellë luani është Juda.

Prej presë u ktheve biri im.

Ai ulet e shtrihet si një luan

e kush guxon ta zgjojë?

10Skeptri nuk do t'i hiqet Judës,

as shkopi i prijësit këmbëve të tij.

Do t'i sjellin tagrin,

popujt do ta dëgjojnë.

11Gomarin e lidh në pjergull,

kërriçin te hardhia më e mirë.

Me verë e lan rrobën e tij,

me lëngun e rrushit petkun.

12Të kuq si vera sytë e tij,

të bardhë si qumështi dhëmbët.

13Zabuloni pranë detit do të banojë

e për lundrat liman do të jetë.

Kufirin në Sidon do ta ketë.

14Isahari është gomar i fortë,

shtrirë mes dy gardhesh.

15Pa se vendpushimi ishte i mirë

e toka e këndshme

e uli kurrizin nën barrë,

shërbëtor i nënshtruar u bë!

16Dani, popullin e vet do të gjykojë,

si çdo fis tjetër i Izraelit.

17Qoftë si gjarpri rrugës

e nepërka udhës,

që thembrën e kalit kafshon

e kalorësin në shpinë e rrëzon.

18Shpëtimin tënd pres, o Zot!

19Gadin do ta sulmojnë kusarët,

por në kthim do t'i sulmojë ai.

20Asheri do të ketë bukë të shijshme

e për mbretër ushqime të përzgjedhura.

21Neftaliu është drenushë e lirë

që pjell drerë të bukur.

22Jozefi është si pemë frutore,

si pemë frutore pranë burimit,

me degë tej murit.

23Hidhur e qëlluan,

harkëtarët e sulmuan.

24Por i fortë mbeti harku i tij

e krahët iu forcuan

nga dora e të fuqishmit të Jakobit,

nga bariu e shkëmbi i Izraelit,

25nga Perëndia i atit tënd

që të ndihmon,

nga i gjithëpushtetshmi

që të bekon

me bekime nga qielli lart

e me bekime nga humnera poshtë,

me bekime nga gjiri e nga barku.

26Bekimet e atit tënd ua tejkalojnë

bekimeve të maleve të amshuara

e begatisë së kodrave të përjetshme.

Ato qofshin mbi kryet e Jozefit,

mbi ballin e të zgjedhurit ndër vëllezër!

27Benjamini është ujk grabitqar,

prenë e ha në mëngjes

e në mbrëmje plaçkën ndan!».

28Të gjithë këta janë dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Kështu u tha ati i tyre kur i bekoi me radhë, secilin sipas bekimit të vet.

Vdekja e Jakobit

29Pastaj Jakobi i urdhëroi e u tha: «Së shpejti do të vdes. Më varrosni me etërit e mi, në shpellën që është në arën e Efron Hititit,

30në shpellën që ndodhet në arën e Makpelës, përballë Mamreut, në tokën e Kanaanit, në fushën që Abrahami bleu si pronë varri nga Efron Hititi.

31Atje janë varrosur Abrahami e Sara, gruaja e tij. Atje është varrosur Isaku e Rebeka, gruaja e tij. Atje kam varrosur Lean.

32Fusha e shpella iu blenë bijve të Hetit».

33Pasi urdhëroi të bijtë, Jakobi i mblodhi këmbët mbi shtrat e dha shpirt. Ai u varros me popullin e tij.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help