Zanafilla 35 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Jakobi kthehet ne Betel

1Perëndia i tha Jakobit: «Ngrihu, shko në Betel e bano atje. Aty ngri një altar për Perëndinë që t'u shfaq kur ike nga Esau, vëllai yt».

2Atëherë Jakobi i tha shtëpisë së tij e gjithë atyre që ishin me të: «Hidhni tej perënditë e huaja që janë mes jush. Pastrohuni e ndërroni rrobat.

3Pastaj të ngrihemi e të shkojmë në Betel që atje t'i ndërtoj një altar Perëndisë që m'u përgjigj ditën kur u gjeta ngushtë dhe që ishte me mua në udhëtimin që bëra».

4Atëherë ata ia dhanë Jakobit të gjitha perënditë e huaja e vathët që kishin e ai i fshehu nën lisin pranë Shekemit.

5Kur u nisën, qytetet përreth i kapi tmerri i Perëndisë dhe ata nuk i ndoqën bijtë e Jakobit.

6Jakobi e tërë populli që ishte me të arritën në Luz që është në tokën e Kanaanit. Ky është Beteli.

7Aty ngriti një altar dhe vendin e quajti Perëndia i Betelit, se aty iu shfaq Perëndia kur iku nga i vëllai.

8Në atë kohë vdiq Debora, mëndesha e Rebekës. Ajo u varros nën një lis pranë Betelit dhe Jakobi e quajti vendin Lisi i Vajtimit.

9Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit kur erdhi nga Padan Arami, e bekoi

10e i tha: «Emri yt është Jakob. Por nuk do të quhesh më Jakob, sepse emri yt do të jetë Izrael». Kështu e quajti Izrael.

11Pastaj i tha: «Unë jam Perëndia i gjithëpushtetshëm. Shumohu e shtohu! Prej teje do të dalë një popull e një shumicë popujsh e prej ijëve të tua do të dalin mbretër.

12Tokën që i dhashë Abrahamit e Isakut do të ta jap ty. Pasardhësve të tu do t'ua jap tokën».

13Pastaj Perëndia u largua prej tij e prej vendit ku i kishte folur.

14Atëherë Jakobi ngriti një përmendore guri ne vendin ku Perëndia i kishte folur, e lagu me një fli stërpikjeje dhe derdhi vaj mbi të.

15Jakobi e quajti Betel vendin ku i kishte folur Perëndia.

Vdekja e Rakelës

16Ata u nisën nga Beteli e kur ishin ende pak larg nga Efrata, Rakelën e zunë dhimbjet e forta të lindjes.

17Për shkak se kishte dhimbje të forta gjatë lindjes, mamia i tha: «Mos ki frikë, se u bëre me një tjetër djalë!».

18Por ajo vdiq dhe, duke dhënë shpirt, e quajti të birin Benoni, ndërsa i ati e quajti Benjamin.

19Rakela vdiq e u varros udhës për në Efratë, ku është Betlehemi.

20Jakobi ngriti një përmendore mbi varrin e saj. Kjo është përmendorja e varrit të Rakelës që njihet edhe sot.

21Atëherë Izraeli shkoi prej andej dhe ngriti tendën përtej Migdal Ederit.

22Kur Izraeli banoi në këtë vend, Rubeni shkoi e fjeti me Bilhën, shemrën e të atit. Izraeli e mori vesh.

Jakobi kishte dymbëdhjetë djem.

23Bijtë e Leas ishin Rubeni, i parëlinduri i Jakobit, Simeoni, Levi, Juda, Isahari e Zabuloni.

24Bijtë e Rakelës ishin Jozefi e Benjamini.

25Bijtë e Bilhës, shërbëtores së Rakelës, ishin Dani e Neftaliu.

26Bijtë e Zilfës, shërbëtores së Leas, ishin Gadi e Asheri. Këta ishin bijtë e Jakobit që i lindën në Padan Aram.

Vdekja e Isakut

27Jakobi mbërriti në Mamre, tek Isaku, i ati. Ky është Kirjat Arba, në Hebron, ku Abrahami e Isaku kishin banuar si të huaj.

28Isaku ishte njëqind e tetëdhjetë vjeç

29kur dha shpirt e vdiq. I moshuar e në moshë të thyer, u varros bashkë me popullin e tij. E varrosën të bijtë, Esau e Jakobi.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help