Isaia 16 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Dërgojini një qengj sunduesit të vendit,

nga Selau i shkretëtirës në malin e bijës së Sionit.

2Porsi shpendi që rreh krahët,

kur e dëbojnë nga foleja,

ashtu do të jenë bijat e Moabit,

nëpër vatë e Arnonit.

3Jep këshillë,

merr vendim!

Në mesditë hijen tënde

bëje porsi natën!

Fshihi të ikurit,

mos i tradhto të arratisurit!

4Le të gjejnë strehim te ti të dëbuarit e Moabit,

ji për ta strehim prej shfarosësit!

Se tirani mori fund, shkatërrimi reshti,

shtypësi u zhduk prej vendit.

5Do të ngrihet një fron me themelet në mirësi,

me besnikëri do të ulet në tendën e Davidit

një gjykatës që do të kërkojë drejtësi,

i zellshëm për të dhënë të drejtën.

6Kemi dëgjuar për krenarinë e Moabit,

vërtet shumë krenar,

për krenarinë, kryeneçësinë e kokëfortësinë e tij,

por madhështia e tij është e kotë.

7Prandaj Moabi do të vajtojë për Moabin,

i gjithi do të shkrihet në vaj,

për bukët me rrush të Kir Haresetit,

i dëshpëruar kujën do të vërë.

8Ja, fushat e Heshbonit u shkretuan

bashkë me vreshtin e Sibmahut.

Sunduesit e kombeve ia shkatërruan shermendet

që shtriheshin deri në Jazer,

degët nëpër shkretëtirë gjarpëronin

e deri përtej detit të Vdekur kalonin.

9Prandaj, bashkë me vajtuesit e Jazerit

vreshtin e Sibmahut do të vajtoj.

Do të të përmbyt me lotët e mi,

ty, o Heshbon, dhe ty, o Elealeh,

se mbi të korrat e mbi të vjelat e tua ra gjëma.

10U zhduk gëzimi e hareja prej fushave pjellore,

nëpër vreshta s'dëgjohet as këngë, as brohori,

nuk ka më verë nëpër torqe,

nuk ka mbetur kush për ta shtrydhur,

britmave të gëzimit u ka ardhur fundi.

11Prandaj gjithçka përbrenda meje dridhet

për Moabin porsi harpa,

tërë qenia ime për Kir Heresin.

12Më kot do të mundohet Moabi,

te faltorja në vend të lartë për t'u ngjitur,

do të hyjë në shenjtërore për t'u lutur,

por nuk do të ketë kurrfarë dobie.

13Kjo është fjala që tha Zoti dikur për Moabin.

14E tani kështu thotë Zoti: «Brenda tre vjetëve, vitet e një punëtori me mëditje, do të zhduket lavdia e Moabit, me gjithë popullin e tij të shumtë. Do të mbetet vetëm një pakicë e vogël dhe e pafuqishme».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help