Joeli 4 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Gjykimi i kombeve

1 «Ja, atë ditë e atë kohë,

kur t'ia kthej fatin Judës e Jerusalemit,

2do t'i mbledh tërë kombet.

Te lugina e Joshafatit do t'i çoj

e atje do t'i gjykoj,

për hir të Izraelit, popullit e pronës sime.

Se e degdisën nëpër kombe,

e copëtuan tokën time.

3Hodhën short për popullin tim,

djemtë i këmbyen me lavire,

vajzat i shitën për një gotë verë.

4Ç'doni prej meje, o Tir e Sidon,

tërë ju krahinat e Filistesë?

Vallë hak dashkeni të merrni?

Edhe po u hakmorët kundër meje,

unë pa vonuar,

kokës do t'jua lëshoj hakmarrjen tuaj.

5Ju ma morët argjendin e arin,

thesaret m'i çuat te tempujt tuaj.

6Bijtë e Judës e të Jerusalemit

javanitëve ua shitët,

që prej vendit larg t'i hiqnit.

7Ja, do t'i ngre prej vendeve ku u shitën

e ju do t'ju shpaguaj mirë.

8Bijtë e bijat tuaja

do t'ua shes bijve të Judës.

Ata do t'ua shesin shebaitëve,

një kombi të largët,

se kështu foli Zoti.

9Shpallni mes kombeve:

bëhuni gati për luftë,

trimat të çohen peshë,

tërë luftëtarët të mblidhen e të ngrihen.

10Farkëtoji ploret në shpata

e kizat në heshta.

I drobituri të thotë:

“Jam trim!”.

11Ejani, nxitoni e mblidhuni,

mbarë kombet përqark,

Atje silli, o Zot, trimat e tu.

12Le të çohen peshë kombet

te lugina e Joshafatit,

se aty do të ulem

të gjykoj tërë kombet përqark.

13Vërviteni draprin,

se të korrat u poqën.

Ejani, shtypni me këmbë,

se torku u mbush plot,

e lugjet gufojnë.

Të shumta janë ligësitë e tyre.

14Turma-turma në luginën e Vendimit,

se dita e Zotit po afron

në luginën e Vendimit.

15Dielli e hëna u nxinë krejt,

yjet mbetën pa shkëlqim.

16 Zoti prej Sionit do të ulërijë,

prej Jerusalemit do të japë kushtrim.

Qiejt e toka do të luajnë vendit,

por Zoti do të jetë strehim për popullin e vet,

fortesë për bijtë e Izraelit.

17Do ta dini se unë, Zoti, Perëndia juaj,

banoj në Sion, në malin tim të shenjtë.

I shenjtë do të jetë Jerusalemi,

të huajt s'do të kalojnë më nëpër të.

18Atë ditë, malet do të rigojnë musht,

kodrat do të pikojnë qumësht,

tërë përrenjtë e Judës do të rrjedhin ujë.

Një gurrë prej shtëpisë së Zotit do të burojë

e luginën e Shitimit do të ujitë.

19Egjipti do të bëhet shkretëtirë,

Edomi humbëtirë e shkretë,

për shkak të dhunës ndaj bijve të Judës,

se gjak të pafajshëm derdhën atje.

20Por Juda do të banohet përherë,

Jerusalemi brez pas brezi.

21Do të marr hak për gjakun e tyre,

gjakun që nuk isha hakmarrë.

Zoti banon në Sion!».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help