1 Mbretërve 9 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Zoti i shfaqet sërish Solomonit

1Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të Zotit, pallatin mbretëror dhe të gjitha ndërtesat që donte të bënte,

2Zoti iu shfaq për herë të dytë, ashtu siç i ishte shfaqur në Gibeon,

3e i tha: «E dëgjova lutjen dhe përgjërimin që bëre para meje, e shenjtërova këtë tempull që ndërtove dhe aty vendosa emrin tim për amshim. Sytë e mi dhe zemra ime do të jenë përherë aty.

4Nëse ti ecën para meje siç eci ati yt, Davidi, me zemër të pastër e të drejtë, nëse zbaton gjithçka të kam urdhëruar e nëse mban rregullat e vendimet e mia,

5do ta bëj gjithmonë të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate në Izrael, siç i premtova Davidit, atit tënd, kur i thashë: “Nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit”.

6Por nëse ju dhe bijtë tuaj më braktisni, nuk i mbani urdhërimet dhe rregullat që ju dhashë unë dhe shkoni pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre,

7do ta zhduk Izraelin nga faqja e dheut që i kam dhënë. Edhe këtë tempull, që e shenjtërova për nder të emrit tim, do ta flak larg pranisë sime dhe Izraeli do të bëhet përrallë e tallje për të gjithë popujt.

8Të gjithë ata që do të kalojnë pranë këtij tempulli të madhërishëm, do të tmerrohen e të çuditur do të thonë: “Përse u soll kështu Zoti me këtë vend e me këtë tempull?”.

9E do t'u përgjigjen: “Sepse ata e lanë Zotin, Perëndinë e tyre, që i nxori paraardhësit e tyre nga toka e Egjiptit, dhe shkuan pas perëndive të tjerë, u përkulën para tyre e u shërbyen. Prandaj Zoti solli mbi ta këtë fatkeqësi”».

Vepra të tjera të Solomonit

10Solomonit iu deshën njëzet vjet për t'i ndërtuar të dyja godinat e mëdha, tempullin e Zotit dhe pallatin mbretëror.

11Hirami, mbreti i Tirit, i kishte dërguar Solomonit drutë e cedrit, të qiparisit dhe të gjithë arin që i ishte dashur. Solomoni i dha Hiramit njëzet qytete në krahinën e Galilesë.

12Hirami erdhi nga Tiri për të parë qytetet që i kishte dhënë Solomoni, por nuk i pëlqyen.

13Ai i tha Solomonit: «Vëllai im, ç'qytete janë këto që më ke dhënë?». I quajti Krahina e Kabulit e kështu njihen ato edhe sot e kësaj dite.

14Hirami i dërgoi mbretit tre tonë e gjysmë ar.

15Këto ishin ndërtimet që mbreti Solomon urdhëroi të bëhen me punë të detyruar: tempulli i Zotit, pallati i vet mbretëror, Miloja, muret e Jerusalemit, Hacori, Megidoja dhe Gezeri.

16Faraoni, mbreti i Egjiptit, kishte sulmuar e pushtuar Gezerin, e kishte djegur dhe kananitët që banonin në të i kishte vrarë. Pastaj qytetin ia kishte dhënë si prikë vajzës së vet, gruas së Solomonit.

17Prandaj Solomoni e rindërtoi Gezerin. Ai rindërtoi edhe Bet Horonin e poshtëm,

18Baalatin dhe Tadmorin, në krahinën e shkretë të vendit,

19si edhe të gjitha qytetet ku Solomoni grumbullonte prodhimet, qytetet për karrocat e luftës dhe qytetet për kalorësinë. Ai përfundoi edhe gjithçka që dëshironte të ndërtonte në Jerusalem, në Liban dhe në të gjitha krahinat e mbretërisë së tij.

20Të gjithë ata që kishin mbetur prej amoritëve, hititëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve e që nuk i përkisnin popullit të Izraelit,

21si edhe parardhësit e tyre, që kishin mbetur ende në vend, ngaqë izraelitët nuk ia kishin dalë t'i shfarosnin, Solomoni i vuri të bënin punë të detyruar e kështu ndodh ende sot.

22Solomoni nuk i bëri skllevër pune izraelitët, por i caktoi luftëtarë, zyrtarë, prijës, krerë, komandantë dhe drejtues të karrocave dhe të kalorësisë së tij.

23Krerët e atyre që mbikëqyrnin punimet e Solomonit ishin pesëqind e pesëdhjetë. Ata ishin përgjegjës për punëtorët.

24Kur e bija e faraonit u largua nga qyteti i Davidit për të banuar në pallatin e ndërtuar për të, Solomoni ndërtoi Milonë.

25Solomoni kushtonte tri herë në vit fli shkrumbimi e paqtimi mbi altarin që kishte ndërtuar për Zotin, ku digjte edhe temjan para Zotit. Kështu, ndërtimi i tempullit përfundoi.

26Solomoni ndërtoi edhe një flotë në Ecjon Geber, që ndodhet pranë Ejlatit, në brigjet e detit të Kuq, në tokën e Edomit.

27Hirami i dërgoi Solomonit disa nga detarët e tij, që e njihnin mirë detin, për të punuar bashkë me shërbëtorët e Solomonit.

28Ata shkuan në Ofir dhe prej andej i sollën mbretit Solomon dymbëdhjetë tonë ar.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help