Jeremia 31 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Premtimi i haresë

1«Në atë kohë, kumton Zoti, unë do të jem Perëndia i të gjitha fiseve të Izraelit e ata do të jenë populli im.

2Kështu thotë Zoti:

gjeti hir në shkretëtirë

populli që i shpëtoi shpatës;

Izraeli po shkon drejt prehjes.

3Prej së largu m'u dëftua Zoti:

“Të desha me dashuri të amshuar,

prandaj të mbeta besnik.

4Do të të ngre sërish e ti do të ngrihesh,

o virgjëresha e Izraelit.

Sërish do të stolisesh me dajre

e do t'i prish valles së gaztorëve.

5Sërish do të mbjellësh vreshta

në malet e Samarisë,

do të mbjellin mbjellësit

e do të begatohen.

6Se do të vijë dita e vikamës së rojtarëve

në malin e Efraimit:

ngrihuni, të shkojmë në Sion,

te Zoti, Perëndia ynë”.

7Se kështu thotë Zoti:

bëzani me hare për Jakobin,

galdoni për kreun e kombeve;

shpallni lavdërimin tuaj e thoni:

e shpëtoi Zoti popullin e vet,

tepricën e Izraelit.

8Ja, unë po i sjell nga dheu i veriut

e po i mbledh nga skajet e dheut.

Ndër ta është i verbri e i çali,

shtatzëna e lehona:

një bashkësi e madhe

këtu do të kthehet.

9Do të vijnë duke u dënesur,

por unë do t'i sjell të përdëllyer,

do t'u prij drejt rrjedhave të ujit,

në një udhë të drejtë

ku nuk do të pengohen,

se për Izraelin u bëra porsi atë

dhe Efraimi është i parëlinduri im».

10«Dëgjojeni, o kombe, fjalën e Zotit,

shpalluani ishujve të largët e thoni:

ai që e shpërndau Izraelin, do ta mbledhë,

do ta ruajë grigjën e vet porsi bariu».

11Se e shpagoi Zoti Jakobin,

e shpengoi nga dora e më të fortit.

12Do të vijnë e do të brohorasin në lartësitë e Sionit,

shndritur prej mirësisë së Zotit,

për grurin, për mushtin e për vajin,

për grigjat e për tufat.

Si kopsht i ujitur do të jetë shpirti i tyre

e më nuk do të lëngojnë.

13Atëherë do të gëzojnë virgjëreshat me valle,

rinia e pleqtë së bashku.

Do ta kthej zinë e tyre në hare,

do t'i ngushëlloj e do t'i lumturoj,

do t'ua heq pikëllimin.

14Do t'i ngij priftërinjtë me dhjamë,

me të mirat e mia do të mbushet populli im,

kumton Zoti.

15Kështu thotë Zoti:

një zë u dëgjua në Ramah,

rënkim e vajtim i hidhur.

Rakela qan fëmijët e saj,

ngushëllim për fëmijët e saj nuk do,

se nuk janë më.

16Kështu thotë Zoti:

mos nxirr vaj nga zëri yt,

as lot nga sytë e tu,

se e kanë shpërblimin veprat e tua,

kumton Zoti,

e ata do të kthehen nga dheu i armikut.

17Ka shpresë për të ardhmen tënde,

kumton Zoti,

do të kthehen bijtë e tu në trojet e veta.

18«Dëgjova Efraimin tek ankohej:

“Ti më ndreqe e unë u ndreqa

porsi kau i pamësuar.

Kthemë ti e unë do të kthehem,

se ti je Zoti, Perëndia im.

19Se pasi u largova, u pendova,

pasi ma bëre të ditur, shuplaka kofshën,

u turpërova e u përula,

se u ngarkova me nëmën e rinisë sime”.

20A s'është Efraimi bir i dashur për mua?

A s'është djali i ëndjeve?

Se sa herë flas kundër tij,

prapë më vijnë ndër mend kujtimet,

prandaj më dridhen zorrët për të,

e me përdëllim do ta përdëllej,

kumton Zoti.

21Cakto për vete shenjat,

vendos për vete udhërrëfyesit,

mbaje në zemër udhën,

rrugën në të cilën ke ecur.

Kthehu, o virgjëreshë e Izraelit,

kthehu te këto qytetet e tua.

22Deri kur do të jesh e lëkundur,

o bijë besëshkalë?

Se Zoti krijoi një risi mbi dhe:

një femër i sillet rrotull një burri.

23Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: përsëri do të thonë këto fjalë në tokën e Judës dhe në qytetet e saj, pasi t'i kem kthyer të shpërngulurit e tyre:

të bekoftë Zoti, o shtëpi e drejtësisë,

o mal i shenjtë!

24Atje do të banojnë së bashku Juda

dhe të gjitha qytetet e tij,

bujqit e prijësit e tufës.

25Se do ta mëkoj shpirtin e mekur

e do të ngij çdo shpirt të drobitur».

26Këtu u zgjova e pashë se kisha bërë gjumë të mirë.

Izraeli e Juda

27«Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do ta mbjell shtëpinë e Izraelit e të Judës me farë njerëzish e me farë bagëtish.

28Atëherë, siç i mbajta sytë hapur mbi ta për t'i zhbirë e për t'i shembur, për t'i rrëzuar, për t'i rrënuar e për t'i dëmtuar, po ashtu do t'i mbaj sytë hapur mbi ta, për të ndërtuar e për të mbjellë, kumton Zoti.

29Në ato ditë nuk do të thuhet më:

“Rrushin e thartë e hëngrën etërit,

por dhëmbët iu mpinë bijve”,

30sepse secili do të vdesë për faj të vet. Do t'i mpihen dhëmbët vetëm atij që ha rrush të thartë».

Besëlidhja e re

31«Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës.

32Jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, kur i mora për dore, për t'i nxjerrë nga dheu i Egjiptit, besëlidhja ime, që ata e thyen, megjithëse unë isha zotëria i tyre, kumton Zoti.

33Por, kjo është besëlidhja që do të bëj me shtëpinë e Izraelit, pas atyre ditëve, kumton Zoti: do ta vendos brenda tyre ligjin tim e do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im.

34Nuk do ta mësojnë më njëri-tjetrin, duke thënë: “Njiheni Zotin”, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli deri te më i madhi prej tyre, kumton Zoti, se do t'ua fal fajin e nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.

35Kështu thotë Zoti,

që diellin gjatë ditës si dritë e cakton,

e gjatë natës, si dritë, hënën e yjet vendos,

që trazon detin, e valët e tij ushtojnë

dhe emrin e ka Zoti i ushtrive:

36nëse këto ligje më dalin dore,

kumton Zoti,

vetëm atëherë do të reshtë Izraeli

e nuk do të jetë më para meje komb përgjithmonë.

37Kështu thotë Zoti:

nëse mund të maten qiejt prej së larti

e të hulumtohen gjer poshtë themelet e tokës,

edhe unë do ta flak mbarë farën e Izraelit

për gjithçka bëri,

kumton Zoti».

Rindërtimi i Jerusalemit

38«Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur qyteti do të rindërtohet për Zotin, që nga Kulla e Hananelit deri te Porta e Këndit.

39Litari matës do të shtrihet përsëri deri te kodra e Garebit e do të sillet drejt Goahut.

40Gjithë lugina e kufomave dhe e hirit dhe të gjitha rrafshinat deri te përroi Kidron, deri te qoshja e Portës së Kuajve drejt lindjes, do të jenë të shenjta për Zotin. Nuk do të zhbihen, as do të rrafshohen më».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help