1Manaseu ishte dymbëdhjetë vjeç, kur u bë mbret i Judës dhe mbretëroi për pesëdhjetë e pesë vjet në Jerusalem.
2Manaseu bëri çka është keq në sytë e Zotit, duke ndjekur doket e pështira të kombeve që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve.
3Ai rindërtoi faltoret në vende të larta që ati i tij, Ezekia, i kishte shkatërruar. Ngriti altarë për Baalin, punoi shtylla të Asherasë, adhuroi tërë yjet e qiellit e u shërbeu.
4Ndërtoi altarë edhe brenda tempullit të Zotit, për të cilin vetë Zoti kishte thënë: «Në Jerusalem do të jetë emri im në amshim».
5Ai i ndërtoi altarë mbarë ushtrisë qiellore në të dyja tremet e tempullit të Zotit.
6Manaseu kushtoi edhe bijtë e vet si fli në zjarr në luginën e Ben Hinomit, u mor me shortari e me magji të çdo lloji, u këshillua me ata që thërrasin shpirtra të vdekurish e me shortarë dhe bëri aq shumë ligësi para syve të Zotit, sa e ndezi zemërimin e tij.
7Ai punoi edhe një idhull dhe e vuri në tempullin e Perëndisë, për të cilin Perëndia i kishte thënë Davidit dhe Solomonit, birit të Davidit: «Në këtë tempull dhe në Jerusalem, që e zgjodha ndër të gjitha fiset e Izraelit, unë do të vendos emrin tim në amshim.
8Unë nuk do të lejoj që këmbët e izraelitëve të enden larg kësaj toke, të cilën ua dhashë paraardhësve tuaj, veçse me kushtin që ata të zbatojnë të gjitha urdhërimet, mbarë ligjin, rregullat dhe vendimet, që u dhashë me anë të Moisiut».
9Por Manaseu joshi Judën dhe banorët e Jerusalemit të bënin ligësi më shumë se kombet që Zoti kishte shkatërruar para syve të izraelitëve.
10 Zoti i foli Manaseut dhe popullit të tij, por ata nuk deshën ta dëgjonin.
11Atëherë Zoti dërgoi kundër tyre prijësit e ushtrisë së mbretit të Asirisë. Ata e kapën Manaseun, i vunë pranga hekuri, e lidhën me zinxhirë prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.
12Kur ra ngushtë, Manaseu iu lut Zotit, Perëndisë së tij, dhe e përuli veten shumë para Perëndisë së etërve të tij.
13Iu lut e iu përgjërua Zotit e Zoti pati mëshirë për të dhe e ktheu në Jerusalem, në mbretërinë e tij. Atëherë Manaseu e kuptoi se Zoti ishte Perëndi.
14Mandej Manaseu rindërtoi murin e jashtëm të qytetit të Davidit, i cili kalonte në perëndim të Gihonit, shtrihej nëpër luginë deri te Porta e Peshqve dhe përfshinte Ofelin. Murin e bëri shumë të lartë dhe në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës caktoi prijës ushtarakë.
15Ai hoqi perënditë e huaja dhe idhujt prej tempullit të Zotit, shkatërroi altarët që kishte ndërtuar në malin e tempullit të Zotit e në Jerusalem dhe i hodhi jashtë qytetit.
16Mandej rivendosi altarin e Zotit dhe kushtoi mbi të fli paqtimi e falënderimi dhe urdhëroi popullin e Judës t'i shërbente Zotit, Perëndisë së Izraelit.
17E megjithatë populli vazhdoi të kushtonte nëpër faltoret në vende të larta, ndonëse i kushtonin vetëm Zotit, Perëndisë së tyre.
18Bëmat e tjera të Manaseut, lutja që i bëri Perëndisë së tij dhe fjalët që i thanë vegimtarët në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
19Lutja, përgjërimi, mëkatet dhe paudhësitë e tij, si edhe vendet ku ndërtoi faltoret në vende të larta, ku bëri shtyllat e Asherasë dhe idhujt, para të cilëve u përkul, janë të shkruara në librin e Hozait.
20Manaseu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në pallatin e vet. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni.
Mbretërimi i Amonit në Judë21Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për dy vjet në Jerusalem.
22Amoni bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Manaseu. Ai u kushtoi fli të gjithë idhujve, që kishte bërë Manaseu, dhe u shërbeu.
23Amoni nuk e përuli veten para Zotit, siç kishte bërë i ati, Manaseu, por mëkatoi edhe më shumë.
24Shërbëtorët e Amonit ngritën krye kundër tij dhe e vranë në pallatin e vet,
25por populli i vendit i vrau të gjithë ata që kishin ngritur krye kundër mbretit Amon. Në vend të tij bënë mbret të birin, Josinë.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.