Habakuku 1 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Vegimi që pa profeti Habakuk.

Profeti

2«O Zot, për sa kohë do të të thërras

e ti nuk do të dëgjosh?

Për sa kohë do të klith: “Dhunë!”

e ti nuk do të ndërhysh?

3Përse më bën të shoh padrejtësi,

përse rri e vrojton prapësinë?

Para kam shkatërrim e dhunë,

dalin grindje e zënka.

4Ndaj dhe ligji zbehet,

kurrë nuk del në pah e drejta.

Ndaj shtrembërohet drejtësia

dhe i mbrapshti të drejtin rrethon.

5Shikoni mes kombeve e vrojtoni,

habituni e mrekullohuni,

se po bëj diçka në ditët tuaja,

s'do ta besoni kur t'jua tregojnë.

6Ja, po ngre kaldenjtë,

një komb i vrazhdë e i rrëmbyer,

që kryq e tërthor tokës i bie,

për të zaptuar banesat që nuk i takojnë.

7I tmerrshëm e i frikshëm është ai,

bën ligjin dhe nderin e vendos vetë.

8Kuajt i ka më të shpejtë se leopardi,

më të egër se ujqit e natës.

Kalorësit e tij kalërojnë,

prej larg vijnë ata.

Lëshohen porsi shqiponja

që prenë e përpin vetëtimthi.

9Të gjithë ata dalin për dhunë,

mori fytyrash vërshojnë

e robër mbledhin porsi rërë.

10Mbretërit i përqesh,

prijësit i qesëndis,

zgërdhihet me çdo fortesë,

se ngre pirgje dhe i pushton.

11Vërshon si era e kalon tej,

është fajtor, se forcën ka për perëndi.

12O Zot, ti që je prej fillimit,

Perëndia im, i shenjti im i pavdekshëm.

O Zot, për të gjykuar e caktove,

o Shkëmb, për të ndëshkuar e vendose.

13Sytë e tu janë tepër të pastër

për ta parë ligësinë

e prapësinë nuk e vrojtojnë dot.

Përse i vrojton të pabesët,

përse hesht kur i mbrapshti përpin të drejtin.

14E bëre njerëzinë si peshqit e detit,

si zvarranikët, që s'kanë zot mbi vete.

15Kaldeu i gjuan të gjithë me grep,

i tërheq me rrjetën e vet

e me tratë i mbledh krejt,

ndaj gëzohet e galdon,

16ndaj i flijon rrjetës së vet,

i djeg temjan tratës së vet,

se falë tyre merr pjesë të majme,

ushqim të shijshëm ha.

17Mos për këtë do të vijojë rrjetën ta zbrazë

e popujt pa fund t'i vrasë?».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help