1 Kronikave 17 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Besëlidhja me Davidin

1Kur Davidi u vendos në shtëpinë e tij, i tha profetit Natan: «Ja, unë banoj në një shtëpi prej cedri, ndërsa arka e besëlidhjes së Zotit gjendet nën pëlhura».

2Natani iu përgjigj Davidit: «Bëj ç'të kesh në zemër, se Perëndia është me ty».

3Po atë natë Natanit iu drejtua fjala e Perëndisë e i tha:

4«Shko e thuaji Davidit, shërbëtorit tim, kështu thotë Zoti: “Nuk do të ma ndërtosh ti shtëpinë ku do të banoj.

5Unë nuk kam banuar në një shtëpi që kur e ngrita Izraelin e deri në këtë ditë. Kam ndenjur nga një tendë në tjetrën, nga një banesë në tjetrën.

6Gjatë gjithë endjeve të mia me mbarë Izraelin, a mos i kam thënë ndonjë fjalë ndonjërit prej gjykatësve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të kullotnin popullin tim, duke i thënë: përse nuk më keni ndërtuar një shtëpi prej cedri?

7Mirëpo tani kështu do t'i thuash Davidit, shërbëtorit tim: kështu thotë Zoti i ushtrive: unë të mora nga kullota, kur shkoje pas grigjës, që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit.

8Kam qenë me ty kudo ke shkuar dhe i kam vrarë të gjithë armiqtë e tu para teje. Do të të bëj me emër, siç janë me emër të mëdhenjtë e tokës.

9Do të caktoj një vend për popullin tim, Izraelin, ku do ta ngul të banojë pa u tronditur më. Keqbërësit nuk do ta dëmtojnë më, si dikur,

10kur caktova gjykatës mbi popullin tim, Izraelin. Do t'i nënshtroj të gjithë armiqtë e tu. Dhe po të kumtoj se Zoti do të të ndërtojë ty një shtëpi.

11Kur koha jote të jetë sosur e duhet të prehesh me etërit e tu, do të ngre pasardhësin tënd pas teje, njërin prej bijve të tu, e do ta bëj të qëndrueshme mbretërinë e tij.

12Ai do të më ndërtojë një shtëpi, ndërsa unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithmonë fronin e tij.

13Unë do të jem për të atë e ai do të jetë për mua bir. Nuk do t'ia mohoj dashurinë time, siç ia mohova paraardhësit tënd.

14Do ta vë në shtëpinë time e në mbretërinë time përgjithmonë dhe froni i tij do të mbetet në amshim”».

15Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë e të gjithë këtë vegim.

Lutja e Davidit

16Atëherë mbreti David hyri brenda, u ul para Zotit e tha: «Kush jam unë, o Zot Perëndi, dhe çfarë është shtëpia ime, që më solle deri këtu?

17Por kjo ishte gjë e vogël në sytë e tu, o Perëndi. Ti fole për shtëpinë e shërbëtorit tënd për të ardhmen e largët. Ti më sheh mua siç sheh njerëzit e rangjeve të larta, o Zot Perëndi.

18Çfarë mund të bëjë më shumë për ty Davidi, për nderin që i ke bërë shërbëtorit tënd? Ti e njeh mirë shërbëtorin tënd.

19O Zot, ti i bëre të gjitha këto vepra të mëdha për hir të shërbëtorit tënd e sipas zemrës sate, për të shfaqur të gjitha madhështitë.

20Nuk ka si ti, o Zot, dhe nuk ka Perëndi përveç teje, me sa na kanë dëgjuar veshët.

21Kush është si populli yt, Izraeli, kombi i vetëm në tokë, që Perëndia shkoi për ta shpenguar për vete si popull? Ti e bëre të njohur emrin tënd me gjërat e mëdha e të mahnitshme, sepse dëbove kombet para popullit tënd, të cilin e shpengove nga Egjipti.

22Ti e more popullin tënd Izraelin si popullin tënd përgjithmonë dhe ti, o Zot, u bëre Perëndia i tyre.

23Tani, o Zot, fjala që fole për shërbëtorin tënd e për shtëpinë e tij qëndroftë përgjithmonë dhe vepro siç fole.

24Emri yt qëndroftë e u madhëroftë përgjithmonë kështu: “Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, është Perëndi për Izraelin” dhe shtëpia e Davidit, shërbëtorit tënd, do të jetë e qëndrueshme para teje,

25sepse ti, Perëndia im, i dëftove shërbëtorit tënd se do t'i ndërtosh një shtëpi, prandaj shërbëtori yt guxoi të lutej para teje.

26Ti, o Zot, je Perëndi dhe ti ia premtove këtë të mirë shërbëtorit tënd.

27Tani, vendose ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, që të qëndrojë e përhershme para teje, sepse ti, o Zot, e bekove, prandaj është e bekuar përgjithmonë».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help