1Në dheun e Ucit jetonte një njeri me emrin Job. Ai ishte i përkryer e i drejtë, e druante Perëndinë dhe i kthente shpinën të keqes.
2Atij i kishin lindur shtatë djem e tri vajza.
3Kishte një pasuri prej shtatë mijë delesh, tre mijë devesh, pesëqind pendë qesh dhe pesëqind gomaricash. Kishte edhe shumë shërbëtorë. Ky ishte njeriu më i madh ndër të gjithë njerëzit e lindjes.
4Djemtë e tij shkonin me radhë në shtëpitë e njëri-tjetrit për të bërë festë. Ftonin edhe tri motrat për të ngrënë e për të pirë me ta.
5Pasi i kryenin ditët e festave, Jobi i thërriste për t'i shenjtëruar. Ai çohej herët në mëngjes dhe kushtonte fli shkrumbimi për të gjithë, sepse thoshte: «Ndoshta kanë mëkatuar bijtë e mi e kanë fyer Perëndinë në zemrat e tyre». Kështu vepronte Jobi gjithmonë.
6Një ditë bijtë e Perëndisë shkuan për t'u paraqitur para Zotit e bashkë me ta shkoi edhe Satani.
7Zoti e pyeti Satanin: «Nga po vjen?». Satani iu përgjigj Zotit: «Nga toka. Iu solla rrotull e i rashë kryq e tërthor».
8Zoti e pyeti: «A të ka rënë në sy shërbëtori im, Jobi? Askush mbi tokë nuk është si ai, njeri i përkryrer e i drejtë, që druan Perëndinë dhe i kthen shpinën të keqes».
9Por Satani iu përgjigj: «Mos vallë më kot e druan Jobi Perëndinë?
10A nuk e ke rrethuar me mburojë atë vetë, shtëpinë e tij dhe gjithçka ka? Ti e ke bekuar punën e duarve të tij dhe pasuria e tij mbi tokë është rritur.
11Provo e vër dorë mbi gjithçka ka, në s'ka për të të mallkuar haptas».
12Zoti i tha Satanit: «Ja, po të lë në dorë gjithçka ka, por atë vetë mos e prek me dorë!». Atëherë Satani u largua nga Zoti.
13Një ditë, kur bijtë dhe bijat e Jobit po hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të madh,
14erdhi te Jobi një lajmëtar e i tha: «Qetë po lëronin dhe gomaricat po kullotnin pranë tyre,
15kur iu vërsulën shabaitët e i rrëmbyen. Ata i shkuan shërbëtorët në teh të shpatës, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar».
16Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Zjarri i Perëndisë ra nga qielli dhe dogji delet e përpiu shërbëtorët, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar».
17Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Kaldenjtë ngritën tri çeta, u lëshuan mbi devetë e i rrëmbyen. Ata i shkuan shërbëtorët në teh të shpatës, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar».
18Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Bijtë dhe bijat e tua po hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të madh,
19kur ia behu nga shkretëtira një stuhi e fortë, që u përplas mbi të katër qoshet e shtëpisë, e cila u shemb mbi të rinjtë. Ata vdiqën, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar».
20Atëherë Jobi u ngrit e shqeu petkat, rruajti kryet e ra përdhe, u përkul
21e tha:
«Cullak dola nga barku i nënës,
cullak atje do të kthehem.
Zoti dha e Zoti mori.
Bekuar qoftë emri i Zotit!».
22Me gjithë çka i ndodhi, Jobi nuk mëkatoi e nuk ia vuri fajin Perëndisë.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.