1Si tha këto, Jezui doli bashkë me dishepujt e shkoi përtej përroit të Kedronit. Atje ishte një kopsht ku ai hyri me dishepujt.
2Atë vend e njihte edhe Juda, ai që e tradhtoi, sepse Jezui mblidhej shpesh atje me dishepujt.
3Kështu, Juda shkoi te kopshti pasi kishte marrë me vete kohortën dhe disa roja, nga kryepriftërinjtë e farisenjtë, me fenerë, pishtarë dhe armë në duar.
4Jezui, duke ditur gjithçka që do t'i ndodhte, u doli para e u tha: «Kë kërkoni?».
5Ata iu përgjigjën: «Jezuin e Nazaretit». Ai u tha: «Unë jam». Me ta ishte edhe Juda, ai që e tradhtoi.
6Kur Jezui u tha: «Unë jam», ata u zmbrapsën e ranë përdhe.
7Atëherë Jezui i pyeti përsëri: «Kë kërkoni?». Ata i thanë: «Jezuin e Nazaretit».
8Jezui u përgjigj: «Ju thashë se unë jam. Nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë».
9Kështu u vërtetua fjala që kishte thënë: «Nuk humba asnjë nga ata që më ke dhënë».
10Simon Pjetri kishte një shpatë. E nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk.
11Atëherë Jezui i tha Pjetrit: «Fute shpatën në mill! Të mos e pi kupën e vuajtjeve që më dha Ati?».
Te kryeprifti(Mt 26.57-58; Mk 14.53-54; Lk 22.54)12Atëherë kohorta, kryemijësi dhe rojat e judenjve e kapën Jezuin, e lidhën
13dhe e çuan së pari te Hanahu, vjehrri i Kajafës. Kajafa ishte kryeprifti i atij viti.
14Kishte qenë ky që i kishte këshilluar judenjtë se ishte më mirë që një njeri të vdiste për popullin.
Mohimi i Pjetrit(Mt 26.69-70; Mk 14.66-68; Lk 22.55-57)15Jezuin e ndoqën Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër. Dishepulli tjetër ishte një i njohur i kryepriftit, prandaj hyri bashkë me Jezuin në oborrin e pallatit të kryepriftit.
16Por Pjetri mbeti jashtë te porta. Atëherë dishepulli tjetër, i njohuri i kryepriftit, doli jashtë t'i fliste shërbëtores që ruante derën dhe e futi Pjetrin brenda.
17Shërbëtorja që ruante derën i tha Pjetrit: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e atij njeriu?». Ai tha: «Nuk jam».
18Shërbëtorët e rojat bënë një zjarr me qymyr dhe qëndronin rreth tij e ngroheshin, sepse bënte ftohtë. Edhe Pjetri rrinte me ta e ngrohej.
Marrja në pyetje(Mt 26.59-66; Mk 14.55-64; Lk 22.66-71)19Atëherë kryeprifti e pyeti Jezuin për dishepujt dhe për mësimin e tij.
20Jezui u përgjigj: «Unë i kam folur hapur botës. Gjithmonë kam mësuar njerëzit nëpër sinagoga e në tempull ku mblidhen gjithë judenjtë e nuk kam folur kurrë fshehtas.
21Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar fjalët që kam folur. Ata e dinë çfarë kam thënë».
22Kur Jezui tha këto fjalë, një nga rojat që ndodhej atje, i ra me shuplakë e i tha: «Kështu i përgjigjesh kryepriftit?».
23Jezui u përgjigj: «Nëse fola keq, më thuaj ku qëndron e keqja, por nëse fola mirë, përse më godet?».
24Atëherë Hanahu e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajafa.
Pjetri e mohon sërish(Mt 26.71-75; Mk 14.69-72; Lk 22.58-62)25Ndërsa Simon Pjetri rrinte e ngrohej, ata i thanë: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e tij?». Ai e mohoi e tha: «Nuk jam».
26Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij të cilit Pjetri i kishte prerë veshin, i tha: «A nuk të pashë në kopsht me të?».
27Pjetri e mohoi përsëri dhe atë çast këndoi gjeli.
Te Pilati(Mt 27.1-2, 11-14; Mk 15.1-5; Lk 23.1-5)28Pastaj Jezuin e çuan nga Kajafa në pretorium. Ishte mëngjes herët dhe judenjtë nuk hynë në pretorium që të mos ndyheshin e që të mund të hanin Pashkën.
29Atëherë Pilati doli përjashta e u tha: «Çfarë padie ngrini kundër këtij njeriu?».
30Ata iu përgjigjën: «Po të mos ishte keqbërës ky njeri, nuk do të ta dorëzonim ty».
31Pilati u tha: «Atëherë merreni ju e gjykojeni sipas ligjit tuaj». Judenjtë i thanë: «Neve nuk na lejohet të vrasim njeri».
32Kjo, që të vërtetohej fjala që kishte thënë Jezui kur kishte treguar se me ç'vdekje do të vdiste.
33Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezuin e i tha: «A je ti mbreti i judenjve?».
34Jezui u përgjigj: «Këtë e thua nga vetja apo ta kanë thënë të tjerë?».
35Pilati i tha: «Mos jam jude unë? Kombi yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çfarë ke bërë?».
36Jezui u përgjigj: «Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime prej kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos bija në dorë të judenjve. Por mbretëria ime nuk është prej këtej».
37Atëherë Pilati i tha: «Pra, ti qenke mbret?». Jezui u përgjigj: «Ti vetë po e thua se unë jam mbret. Unë prandaj kam lindur e kam ardhur në botë, që të dëshmoj të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës e dëgjon zërin tim».
38Pilati i tha: «Çfarë është e vërteta?».
Dënimi me vdekje(Mt 27.15-31; Mk 15.6-20; Lk 23.13-25)Pasi tha këto fjalë, Pilati doli përsëri e u tha judenjve: «Unë nuk gjej asnjë shkak për ta dënuar.
39Ju keni zakonin t'ju liroj për Pashkë një të dënuar. A doni, pra, t'ju liroj mbretin e judenjve?».
40Ata thirrën përsëri: «Jo këtë, por Barabën». Baraba ishte kusar.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.