Jobi 22 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Elifazi e shpall Jobin fajtor

1Elifazi u përgjigj e tha:

2«A i duhet gjë njeriu Perëndisë?

A i duhet gjë atij i urti?

3Ç'dobi i sjell të gjithëpushtetshmit nëse je i drejtë?

Ç'fiton ai me sjelljen tënde të përkryer?

4Mos vallë të ndëshkon ngaqë i druhesh?

Prandaj hap gjyq ai me ty?

5A nuk janë të shumta paudhësitë e tua?

A nuk janë pa fund ligësitë e tua?

6Vëllait tënd i mbajte peng pa shkak,

edhe të zhveshurit i rrope.

7Të molisurit ujë s'i dhe të pijë,

të uriturit bukë s'i dhe të hajë.

8Të fortit tokën ia dhe

e në të banon kush gjen përkrahje.

9Të vejat i dëbove duarzbrazur

e jetimëve ua theve krahët.

10Prandaj të rrethojnë leqet

e tmerri të zë papritur,

11ose terri që të lë pa parë

e vërshimi i ujërave të përmbyt.

12A nuk është Perëndia lart në qiell?

Shiko sa lart janë yjet më të larta.

13E ti thua: “Çfarë di Perëndia?

A mund të gjykojë në mes të terrinës?

14E kanë mbështjellë retë, ndaj nuk sheh,

ai që shëtit mbi kupë të qiellit”.

15A do të ndjekësh udhën e lashtë,

ku shkelën njerëzit e paudhë?

16Ata u rroposën para kohe,

themelin ua rrëmbeu lumi.

17I thanë Perëndisë: “Larg nesh!

Çfarë mund të na bëjë i gjithëpushtetshmi?”.

18Ai ua mbushte shtëpitë me të mira,

por larg meje këshilli i të paudhëve.

19Të drejtët shohin e gëzohen

e të pafajshmit me ta tallen:

20“A nuk u shuan armiqtë tanë?

Pasurinë ua përpiu zjarri”.

21Pajtohu me Perëndinë e bëj paqe,

se kështu do të të vijë e mbara.

22Prano mësimin prej gojës së tij

e fjalët e tij në zemër mbaji.

23Nëse kthehesh kah i gjithëpushtetshmi,

do të ndreqesh.

Nëse e heq ligësinë nga tenda,

24nëse ari pluhur do të të duket

e zall lumenjsh ari i Ofirit,

25i gjithëpushtetshmi do të jetë ari yt,

pirgu i argjendit tënd.

26Atëherë me të gjithëpushtetshmin do të kënaqesh

e kah Perëndia do ta kthesh shikimin.

27Do t'i lutesh e ai do të të dëgjojë

e do t'i përmbushësh kushtet e tua.

28Do të vendosësh për diçka e do të kryhet

e drita do të shndrisë në udhën tënde.

29Kur njerëzit poshtërohen ti thua është nga krenaria,

se Perëndia të përulurin shpëton.

30Ai do të çlirojë edhe kë s'është i pafajshëm,

falë duarve të tua të pastra do të çlirohet».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help