Hebrenjve 8 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Kryeprifti i besëlidhjes më të mirë

1Kryesorja e gjërave që po themi është kjo: kemi një kryeprift të tillë, i cili u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë së madhërishëm në qiej.

2Ai shërben në shenjtërore dhe në tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Zoti e jo njeriu.

3Çdo kryeprift caktohet për të kushtuar dhurata e flijime. Kështu ishte e nevojshme që edhe kryeprifti ynë të kishte diçka për të kushtuar.

4Po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të kishte qenë e nevojshme të ishte prift, sepse në tokë ka priftërinj që i kushtojnë dhurata Perëndisë sipas ligjit.

5Këta priftërinj shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së adhurimit qiellor, ashtu siç i tha Perëndia Moisiut kur mendonte të ngrinte tendën: tani, bëj gjithçka sipas gjedhes që t'u tregua në mal.

6Ndërsa tani Krishtit iu dha një shërbesë më e shquar, sepse ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, themeluar në premtime më të mira.

7Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë.

8Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha:

ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti,

kur do të bëj një besëlidhje të re

me shtëpinë e Izraelit

e me shtëpinë e Judës.

9 Ajo nuk do të jetë si besëlidhja

që bëra me etërit e tyre,

ditën kur i mora për dore

për t'i nxjerrë nga Egjipti.

Ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime,

prandaj unë i braktisa, thotë Zoti.

10 Besëlidhja që do të lidh

me shtëpinë e Izraelit

pas atyre ditëve, thotë Zoti,

është kjo:

unë do t'i shtie ligjet e mia

në mendjen e tyre

e do t'i shkruaj

në zemrat e tyre.

Unë do të jem Perëndia i tyre

e ata do të jenë populli im.

11 Askush nuk do të mësojë më tjetrin

dhe vëllait të vet

askush nuk do t'i thotë më:

«Njih Zotin!»,

se do të më njohin të gjithë,

nga më i vogli te i madhi.

12 Unë do të jem i mëshirshëm

me paudhësitë e tyre,

mëkatet e tyre

nuk do t'i kujtoj më.

13Kur Perëndia tha «besëlidhja e re», ai e vjetroi të parën. Ajo që vjetrohet e plaket është afër zhdukjes.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help