Mikea 2 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Kundër shtypësve

1«Mjerë ata që kurdisin ligësi

e vepra të mbrapshta në shtrojë.

Sa zbardh mëngjesi i kryejnë,

se e kanë në dorë t'i bëjnë.

2Lakmojnë ara e i zaptojnë,

lakmojnë shtëpi e i rrëmbejnë.

Zhvasin burrin bashkë me shtëpinë e tij,

zhvasin njeriun e trashëgimin e tij.

3Ndaj, kështu thotë Zoti:

“Ja, për këtë familje po kurdis një fatkeqësi

që nuk do ta hiqni dot qafe.

Kryelartë s'do të dilni prej saj,

se koha e kobshme po ju pret.

4Atë ditë do të bëheni përrallë e do të vajtohet:

‘U shkatërruam! U shkatërruam!’.

Prona e popullit tim ndërruaka duar!

Ah, si më ikën duarsh!

Arat tona tradhtarëve u shkuan!”.

5Ndaj askush s'do të hedhë short për ju

në bashkësinë e Zotit.

6“Mos kumtoni!”, kumtojnë ata,

“Mos i kumtoni këto fjalë,

se nuk do të turpërohemi”.

7Pse, o shtëpi e Jakobit, a thuhet:

“Zoti s'paska më durim!

Të tilla qenkan veprat e tij!”?

A nuk i sjellin mirësi fjalët e mia,

atij që ecën drejt?

8Por, së fundi, populli im

ngriti krye porsi armik.

Ia rrëmbeni gunën

atij që ecën udhës qetë

e që s'ka ndër mend të ndeshet.

9Gratë e popullit tim i dëboni

nga shtëpitë e tyre të dashura.

Lavdinë time ua rrëmbeni

përherë fëmijëve të tyre.

10Ngrihuni, ikni,

në këtë vend nuk ka prehje,

se u ndot, u rrënua,

hidhur u shkatërrua.

11Këdo që shkon nga fryn era e gënjen:

“Do të kumtoj për verë e pije të forta!”,

ky popull e quan profet.

12Do të të mbledh tok, o Jakob,

do t'i grumbulloj krejt tepricën e Izraelit.

Do t'i bashkoj porsi dhentë në vathë,

si kopetë nëpër kullota,

dhe do të gumëzhijë njerëzia.

13Ai që çan udhën do t'u prijë,

do të çajnë e do të kapërcejnë,

nëpër porta do të hyjnë.

Mbreti do të hyjë para tyre

dhe Zoti në krye».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help