1Një burrë prej shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet.
2Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Kur pa sa i mirë ishte, e fshehu foshnjën për tre muaj.
3Por, ngaqë nuk e mbante dot më fshehur, mori një shportë xunkthi, e leu me bitum e katran dhe vuri foshnjën në të. Pastaj e vendosi shportën mes kallamishteve buzë lumit Nil.
4E motra e foshnjës qëndroi pak më larg që të shihte se çfarë do t'i ndodhte.
5Atëherë bija e faraonit erdhi për t'u larë në lumë kur shërbëtoret e saj po shëtisnin buzë lumit. Pa shportën mes kallamishteve dhe dërgoi shërbëtoren që ta merrte.
6Kur hapi shportën, pa djalin. Dhe ja, djali po qante. Iu dhimbs e tha: «Qenka foshnjë hebreje!».
7Atëherë motra e foshnjës i tha bijës së faraonit: «A të shkoj e të thërras një mëndeshë hebreje që të ta ushqejë foshnjën?».
8Ajo iu përgjigj: «Shko!» dhe vajza shkoi e thirri të ëmën e foshnjës.
9Pastaj bija e faraonit i tha: «Merre këtë foshnjë e mënde dhe unë do të të paguaj!». Gruaja e mori foshnjën dhe e mëndi.
10Kur djali u rrit, ia solli bijës së faraonit. Ajo e birësoi dhe e quajti Moisi, sepse tha: «E nxora nga uji!».
Moisiu largohet nga Egjipti11Moisiu u rrit. Një ditë ai shkoi te vëllezërit e vet dhe pa punën e rëndë që bënin. Aty pa një egjiptian që po rrihte një hebre, një nga vëllezërit e tij.
12Moisiu vështroi andej-këtej dhe, kur pa që s'kishte njeri, e vrau egjiptianin dhe ia fshehu trupin në rërë.
13Kur doli të nesërmen, pa dy hebrenj që po ziheshin. Atëherë i tha fajtorit: «Përse e rreh shokun tënd?».
14Ai i tha: «Kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A ke ndër mend të më vrasësh sikurse vrave egjiptianin?». Moisiun e kapi frika e tha: «Me të vërtetë qenka marrë vesh se ç'bëra».
15Kur e mori vesh se ç'kishte bërë Moisiu, faraoni deshi ta vriste. Moisiu iku prej tij dhe banoi në tokën e Midianit. Aty u ul pranë një pusi.
16Prifti i Midianit kishte shtatë bija. Ato erdhën, nxorën ujë dhe mbushën koritë që t'u jepnin për të pirë dhenve të atit të tyre.
17Pastaj erdhën disa barinj dhe i dëbuan vajzat. Por Moisiu u ngrit, u erdhi në ndihmë vajzave e u dha ujë dhenve të tyre.
18Kur vajzat u kthyen tek i ati, Reueli, ai u tha: «Përse u kthyet kaq shpejt sot?».
19Ato i thanë: «Një egjiptian na shpëtoi prej barinjve, madje na nxori edhe ujë për dhentë».
20Ai u tha: «Po ai ku është? Përse e latë mbrapa? Thirreni që të hajë bukë!».
21Moisiut i pëlqeu të banojë me këtë njeri dhe ai i dha për grua bijën e tij, Seforën.
22Ajo lindi djalë dhe Moisiu e quajti Gershom, sepse tha: «Jam i ardhur në dhe të huaj!».
23Pas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit. Izraelitët ende rënkonin nën skllavëri dhe klithën për ndihmë. Klithma e tyre për shpëtim nga skllavëria arriti te Perëndia.
24Perëndia e dëgjoi rënkimin e tyre dhe u kujtua për besëlidhjen e tij me Abrahamin, me Isakun e me Jakobin.
25Perëndia i pa izraelitët dhe u kujdes për ta.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.