1Fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua:
2«Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Jam plot zell për Sionin. Më djeg zelli për të”.
3Kështu thotë Zoti: “Po kthehem në Sion e mes Jerusalemit do të banoj. Jerusalemi do të quhet qyteti Besnik, mali i Zotit të ushtrive, mali i Shenjtë!”.
4Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Sheshet e Jerusalemit do të kenë sërish pleq e plaka, secili me shkop në dorë për shkak të moshës së thyer.
5Sheshet e qytetit do të mbushen me djem e vajza që lodrojnë nëpër rrugë”.
6Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Sado e pamundur të duket në sytë e tepricës së popullit në ato ditë, nuk do të jetë e pamundur për mua, kumton Zoti i ushtrive”.
7Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ja, po e shpëtoj popullin tim nga toka e lindjes e nga toka ku perëndon dielli.
8Do t'i kthej të banojnë në Jerusalem. Ata do të jenë populli im e unë Perëndia i tyre, në drejtësi e në të vërtetë”.
9Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Jepuni duarve, o ju që i dëgjuat këto kohë fjalët e profetëve, të cilët folën kur u hodh themeli i shtëpisë së Zotit të ushtrive, që të rindërtoni tempullin.
10Se para kësaj kohe nuk kishte shpërblim as për punën e njeriut e as për mundin e kafshës, nuk kishte paqe prej armikut për këdo që shkonte e vinte, se unë ju vija kundër njëri-tjetrit.
11Por, tani nuk do të sillem si më parë me tepricën e këtij populli, kumton Zoti i ushtrive.
12Fara e paqes do të mbillet, hardhia do të japë fryt, toka do të prodhojë e qielli shiun do ta derdhë. Të gjitha këto do t'ia jap për pjesë tepricës së këtij populli.
13Sikurse u bëtë mallkim mes kombeve, o shtëpia e Judës e shtëpia e Izraelit, po kështu do të shndërroheni në bekim mes tyre, kur unë t'ju shpëtoj. Mos kini, pra, frikë e merrni zemër!”.
14Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Sikurse vendosa t'ju ndëshkoja për shkak se u zemërova me etërit tuaj, thotë Zoti i ushtrive, e nuk tregova mëshirë,
15po kështu u ktheva këto ditë për t'i sjellë mirësi Jerusalemit e shtëpisë së Judës, ndaj mos kini frikë.
16Këto janë gjërat që duhet të bëni: i thoni të vërtetën njëri-tjetrit e tregohuni plotësisht të drejtë kur të bëni gjyq nëpër kuvende.
17Askush të mos shestojë të keqen e tjetrit. Mos u jepni pas zotimeve të rreme, se i urrej të gjitha këto, kumton Zoti”».
18Atëherë fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua:
19«Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Agjërimi i muajit të katërt, i muajit të pestë, i muajit të shtatë e i muajit të dhjetë do të kthehet në ditë gëzimi, feste e kremtimi për shtëpinë e Judës, ndaj duajeni të vërtetën e paqen!”.
20Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Do të vijnë edhe popuj të tjerë e banorë të shumë qyteteve”.
21Banorët e njërit qytet do t'u thonë të tjerëve: “Ejani të shkojmë t'i përgjërohemi Zotit e të kërkojmë Zotin e ushtrive. Edhe unë do të shkoj!”.
22Kështu do të vijnë në Jerusalem shumë popuj e kombe të fuqishme për ta kërkuar Zotin e ushtrive e për t'iu përgjëruar.
23Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ato ditë dhjetë vetë nga kombe e gjuhë të ndryshme do të kapen pas fundit të rrobës së një judeu e do t'i thonë: na lër të vijmë me ty, se dëgjuam që Perëndia është me ju!”».
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.