1 Samuelit 29 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Filistinët dëbojnë Davidin

1Filistinët i mblodhën tërë trupat në Afek, ndërsa izraelitët fushuan te burimi i Izrelit.

2Prijësit filistinë parakaluan me njësitë qindëshe e mijëshe, Davidi me njerëzit e tij parakaluan të fundit bashkë me Akishin.

3Prijësit e filistinëve thanë: «Ç'kërkojnë këta hebrenj?». Akishi iu përgjigj: «Pse jo? Ky është Davidi, shërbëtori i Saulit, mbretit të Izraelit. Ai është me mua prej kohësh e nuk kam asnjë qortim për të, që kur është arratisur e deri tani».

4Prijësit e filistinëve u zemëruan e i thanë: «Ktheje këtë njeri te vendi që i caktove. Të mos vijë me ne në luftë, se do të na dalë kundër në betejë. E si do të pajtohet ky me zotërinë e vet, përveçse me kokat e njerëzve tanë?

5A nuk është ky Davidi, për të cilin hidhnin valle e këndonin:

“Sauli vrau me mijëra,

Davidi me dhjetëra mijëra”?».

6Atëherë Akishi e thirri Davidin e i tha: «Pasha Zotin, ti je njeri i drejtë. Unë doja që ti të vije me mua në fushim, se nuk kam gjetur asnjë ligësi në ty që nga dita kur erdhe tek unë e deri më sot, por ti nuk u pëlqen prijësve.

7Kthehu, shko në paqe e mos i fyej prijësit e filistinëve».

8Davidi iu përgjigj: «Çfarë kam bërë? Ç'faj ke gjetur te shërbëtori yt, që prej ditës kur erdha te ti e deri tani, që të mos vij në luftë kundër armiqve të zotërisë tim, mbretit?».

9Akishi iu përgjigj Davidit: «E di se je i mirë. Për mua je si engjëll Perëndie, por prijësit e filistinëve më kërkuan të mos dilje në luftë me ne.

10Prandaj ngrihu herët bashkë me shërbëtorët e zotërisë tënd që kanë ardhur me ty. Ngrihuni me t'u gdhirë e shkoni».

11Davidi e njerëzit e tij u ngritën herët në mëngjes e u nisën për t'u kthyer në tokën e filistinëve. Filistinët u ngjitën drejt Izrelit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help