Fjalët e urta 19 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Më mirë i varfri i ndershëm,

se gojëpërdali i marrë.

2Zelli pa dije s'është gjë e mirë;

kush shpejton hapin, humb shtegun.

3Njeriun e rrënon marrëzia e vet,

por zemra e tij tërbohet kundër Zotit.

4Kamja i shton e i shumon miqtë,

ndërsa skamnori ngel pa miq.

5Dëshmitari i rremë s'mbetet pa ndëshkuar,

kush përhap gënjeshtra, nuk ka shpëtim.

6Dorëdhënët kanë shumë lajkatarë,

të gjithë bëhen miq me kë jep dhurata.

7Të varfrin e urrejnë të gjithë vëllezërit.

Për më tepër e braktisin edhe miqtë.

Ai i thërret, por s'i gjenden.

8Kush zë mend, e do veten,

kush ruan mençurinë, gjen të mirën.

9Dëshmitari i rremë s'mbetet pa ndëshkuar,

kush përhap gënjeshtra, do të rrënohet.

10Të marrit nuk i shkon mirëqenia,

aq më pak skllavit të sundojë mbi princa.

11Mirëkuptimi ia zbut zemërimin njeriut,

të mos merret me fyerjen është nder për të.

12Zemërimi i mbretit është si ulërima e luanit,

por përkrahja e tij është si vesa mbi bar.

13Djali i marrë është fatkeqësi për të atin,

zënkat e gruas si pikim që s'mbaron.

14Trashëgimi nga etërit: shtëpi e katandi,

por nga Zoti: një grua plot urti.

15Përtacia vë në gjumë,

njeriu i plogësht do të uritet.

16Kush mban urdhërimet, ruan veten,

kush sillet shkujdesur, do të vdesë.

17Kush përkrah të varfrin, i jep hua Zotit.

Zoti do ta shpërblejë.

18Sa të ketë shpresë, qortoje birin tënd,

por mos u mbush me duf për ta vrarë.

19Kush është shumë zemërak duhet ndëshkuar,

se po ta falësh, prapë e përsërit.

20Dëgjoje këshillën e pranoje rregullin,

që, në fund, të jesh i urtë.

21Ka shumë shestime në mendjen e njeriut,

por veç plani i Zotit do të qëndrojë.

22Mirësia e bën të këndshëm njeriun;

është më i mirë i varfri sesa gënjeshtari.

23Droja e Zotit është jetë,

kush e ka fle i kënaqur, e s'e zë e keqja.

24Përtaci e zhyt dorën në pjatë,

por nuk e çon dot te goja.

25Godite përqeshësin e do të zërë mend thjeshtaku,

qortoje të mençurin e do ta kuptojë dijen.

26Biri i pafytyrë e turpërues

nëpërkëmb të atin e dëbon të ëmën.

27Biri im, po të mos dëgjosh më qortimin,

shkëputesh nga fjalët e dijes.

28Dëshmitari i keq e fyen drejtësinë,

goja e të paudhëve e gëlltit mbrapshtinë.

29Përqeshësit i pret gjykimi,

të marrët druri kurrizit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help