1Në të djathtë të atij që rrinte ulur në fron pashë një libër të shkruar në të dyja anët, të vulosur me shtatë vula.
2Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të lartë: «Kush është i denjë të thyejë shtatë vulat e të hapë librin?».
3Por, askush, as në qiell, as mbi tokë, as nën tokë, nuk mund ta hapte librin e ta shihte atë.
4Atëherë unë fillova të qaj shumë, ngaqë nuk u gjet askush i denjë për ta hapur librin dhe për ta parë atë.
5Një nga pleqtë më tha: «Mos qaj! Ja! Luani nga fisi i Judës, rrënja e Davidit, ngadhënjeu dhe mund t'i thyejë të shtatë vulat e ta hapë librin».
6Pastaj, pashë një qengj që qëndronte në mes të fronit, të katër gjallesave e pleqve. Ai dukej si i therur dhe kishte shtatë brirë e shtatë sy, që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë, të dërguara në të gjithë dheun.
7Ai shkoi e mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte ulur në fron.
8Kur Qengji mori librin, katër gjallesat dhe njëzet e katër pleqtë ranë përmbys para tij. Secili kishte nga një harpë dhe kupa të arta të mbushura me temjan që janë lutjet e të shenjtëve.
9Ata këndonin një këngë të re e thoshin:
«I denjë je për të marrë librin
dhe për të thyer vulat e tij,
sepse u there e me gjakun tënd ke blerë për Perëndinë
njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull e komb.
10I bëre mbretër e priftërinj për Perëndinë tonë
dhe ata do të mbretërojnë mbi dhe».
11Pastaj pashë përsëri dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve që kishin rrethuar fronin, gjallesat dhe pleqtë. Numri i tyre ishte me mijëra, me dhjetëra mijëra.
12Ata thoshin me zë të lartë:
«I denjë është Qengji i therur
për të marrë pushtetin,
pasurinë, urtinë, fuqinë,
nderin, lavdinë e bekimin».
13Pastaj dëgjova çdo krijesë në qiell, mbi tokë, nën tokë, në det, gjithë krijesat e gjithësisë, që thoshin:
«Atij, që rri ulur në fron, dhe Qengjit
u qoftë bekimi, nderi, lavdia e pushteti,
në shekuj të shekujve».
14Katër gjallesat thanë: «Amen!», ndërsa pleqtë ranë përmbys dhe adhuruan.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
