Luka 18 - Albanian Gheg New Testament(ALGNT)

Vejusha dhe gjykatësi

1Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë për nevojën me u lutë gjithmonë, pa u ligështue.

2U thoshte: «Në një qytet ishte një gjykatës që s'druente Hyun e për njerëzit s'i bahej vonë.

3Në atë qytet ishte edhe një vejushë, e cila shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë ndaj kundërshtarit tim!”.

4Mirëpo ai nuk donte për njëfarë kohe, por ma vonë tha me vete: “Edhe pse s'druej Hyun e për njerëzit s'më bahet vonë,

5meqë kjo vejushë po më lodh, do t'ia jap të drejtën, që të mos vijë e të më sfilisë”».

6Atëherë Zoti tha: «Ndigjoni çka thotë gjykatësi i padrejtë.

7Po Hyu, a nuk do ta zbatojë drejtësinë për të zgjedhunit e vet që i bërtasin ditë e natë? A do t'i lajë me pritë?

8Unë ju them se do t'ua japë të drejtën shpejt. Megjithatë, kur të vijë Biri i njeriut, a thue do ta gjejë besimin mbi dhe?».

Fariseu e tagrambledhësi

9Disave, që besonin se ishin të drejtë dhe i përçmonin të tjerët, u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

10«Dy njerëz u ngjitën në tempull për me u lutë. Njeni ishte farise e tjetri tagrambledhës.

11Fariseu qëndronte më kambë e lutej tue thanë me vete: “O Hy, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitës, të padrejtë, të përdalë apo edhe si ky tagrambledhës.

12Njinoj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithçkaje që fitoj”.

13Mirëpo tagrambledhësi, mbasi qëndroi larg, nuk donte as me çue sytë drejt qiellit, por i binte krahnorit, tue thanë: “O Hy, ki mëshirë për mue, mëkatnorin!”.

14Po ju them: ky zbriti në shtëpinë e vet i shpallun i drejtë në ved të tij. Se secili që e nalton veten, do të poshtnohet, mirëpo kush e poshtnon veten, do të naltohet».

Bekimi i fëmijëve

15I sillnin edhe foshnjet, që t'i prekte, por nxanësit, kur e panë këtë gja, i qortonin.

16Jezusi, përkundër, i thirri pranë vetes e tha: «Leni fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni, se të tillëve u përket mbretnia e Hyut.

17Vërtet po ju them: ai që nuk e pranon mbretërinë e Hyut si fëmijë, nuk do të hyjë në të».

I pasuni

18Dikush nga paria e pyeti: «Mësues i mirë, çka duhet të baj, për me trashëgue jetën e amshueme?».

19Jezusi i tha: «Pse po më quen të mirë? Askush s'asht i mirë veç Hyut.

20Urdhnimet i din: mos thyej kunorën, mos vrit, mos vidh, mos ban dëshmi të rreme, ndero atin tand e nanën tande!».

21Ai i tha: «Të gjitha këto i kam zbatue që në rini».

22Kur e ndigjoi këtë, Jezusi i tha: «Vetëm një gja ke mangut: shit gjithçka ke e jepjua skamnorëve, se do të kesh një thesar në qiell. Dhe eja e më ndiq!».

23Por ai, kur i ndigjoi këto, ra në trishtim. Ishte tepër i pasun.

24Jezusi e vërejti se kishte ra në trishtim, prandaj tha: «Sa e zor e kanë me hy në mbretninë e Hyut ata që kanë pasuni!

25E ka ma të lehtë një deve me kalue nëpër vrimën e një gjilpane, se një i pasun me hy në mbretninë e Hyut».

26Ata që po e ndigjonin e pyetën: «Po kush mundet me shpëtue?».

27Ai u përgjigj: «Çka asht e pamundun për njerëzit, për Hyun asht e mundun».

28Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka që na përkiste dhe erdhëm mbas teje».

29Ai u përgjigj: «Vërtet po ju them, nuk ka asnjë që të ketë lanë shtëpi a grue, a vëllazën, a prind, a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Hyut,

30që nuk do të marrë shumëfish në këtë kohë dhe në kohën e ardhshme jetën e pasosun».

Paralajmërimi i tretë i Pashkëve

31Atëherë mori të dymbëdhjetët e u tha: «Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe do të përmbushet gjithçka që asht shkrue me anë të profetëve për Birin e njeriut.

32Ai do t'u dorëzohet kombeve, do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë.

33Mbasi ta kenë fshikullue, do ta vrasin, por ditën e tretë do të ngjallet».

34Ata nuk kuptuan asgja, se kjo fjalë ishte mshehtë për ta dhe nuk i morën vesh thaniet.

Shërimi i lypësit të verbër

35Kur po i afrohej Jerihonit, një i verbër ishte ulë anës udhës e lypte.

36Kur ndigjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çka po ndodhte.

37Atëherë e njoftuen: «Jezus Nazaretasi po kalon».

38Dhe ai bërtiti e tha: «Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mue!».

39Ata që ecnin përpara e urdhnuen me heshtë, por ai klithi edhe ma fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mue!».

40Jezusi ndaloi dhe urdhnoi t'ia sillnin pranë. Kur ai u afrue, e pyeti:

41«Çka dëshiron të baj për ty?». Ai i tha: «Zot, të shoh sërish!».

42Dhe Jezusi i tha: «Shih sërish! Besimi yt të shpëtoi».

43Atij iu kthye menjëherë shikimi e i shkonte mbas, tue lëvdue Hyun. I gjithë populli, kur e pa këtë gja, i dha lavdi Hyut.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help