Mateu 8 - Albanian Gheg New Testament(ALGNT)

Shërimi i të gërbulunit

1Kur zbriti nga mali, i shkuen mbrapa turma të mëdhaja.

2Dhe, ja, një i gërbulun iu avit e u përkul para tij, tue thanë: «O Zot, po të duesh, ti mundesh me më dlirë».

3Ai shtriu dorën, e preku e tha: «Due, le të bahesh i dëlirë». E menjëherë iu dëlir gërbula.

4Mandej Jezusi i tha: «Shih se mos i thue kujt, por shko me iu dëftue priftit dhe paraqit kushtimin që urdhnoi Moisiu, si dëshmi për ta».

Shërimi i shërbëtorit të kryeqindshit

5Kur ai hyni në Kafarnaum, iu afrue një kryeqindsh, tue iu lutë

6e tue i thanë: «Zot, shërbëtori im dirgjet në shtëpi i paralizuem,, me mundime të mëdha».

7E ai i tha: «Vij unë dhe e do ta shëroj».

8Kryeqindshi i tha: «Zot, Nuk jam i ndenjë që ty hysh nën pullazin tim, por vetëm thuej një fjalë e do të shëndoshet.

9Se edhe unë njeri nën një pushtet dhe, tue pasë ushtarë nën vete, i then njanit: "Eja!" e ai vjen dhe tjetrit: "Bane këtë!" e ai e ban».

10Mbasi Jezusi ndëgjoi, u mahnit e u tha atyne që po e ndiqnin: «Vërtet po ju them: te askush në Izraeli nuk e kam gjetë një besim kaq të madh.

11Porse, po ju them se shumë do të dalin nga lindja e nga perëndimi e do të shtrohen me Abrahamin, me Isakun e Jakobin në mbretninë e qiejve,

12kurse bijtë e mbretnisë do të flaken në terrin e përjashtëm. Atje do të ketë vajtim e kërcëllim dhambësh».

13Atëherë Jezusi i tha kryeqindshit: «Shko. Të ndodhtë siç besove!». Dhe iu shërue shërbëtori në atë kohë.

Shërimet te shtëpia e Pjetrit

14Kur hyni në shtëpinë e Pjetrit, vuni re vjehrrën e tij të dergjun në shtrat e me zjarrmi.

15Ai i preku dorën e asaj i ra zjarrmia. Atëherë u çue e i shërbente.

16Kur ra mbramja, i sollën shumë të djallosun. Ai i dëboi shpirtënt me anë të fjalës dhe shëroi të gjithë ata që kishin lëngata,

17aq sa u plotësue çka qe thanë me anë të Isaisë profet:

Ai i mori dobësitë tona,

edhe sëmundjet i barti.

Jezusi, mësues i lirë

18Tue pa rreth vetes një turmë të madhe, urdhnoi me kalue matanë.

19Një shkrues iu avit e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo të shkosh».

20Jezusi i tha: «Dhelpnat kanë strofuj e zogjtë fole, por biri i njeriut nuk ka ku me e mbështetë kryet».

21Dikush tjetër prej nxanësve i tha: «Zot, më jep leje të shkoj me varrosë ma parë tim atë».

22Por Jezusi i tha: «Më ndiq mue e leni të vdekunit të varrosin të vdekunit e vet».

Qetësimi i stuhisë

23Atëherë hyni në lundër dhe nxanësit e vet e ndoqën.

24E, ja, një shtërngatë e madhe u çue në liqen, aq sa lundrën e mbuluen dallgët. Por ai po flinte.

25U afruen, e zgjuen e i thanë: «Zot, shpëtona! Po rroposemi».

26E ai u tha: «Çka keni frikë, o besimpaktë?». Atëherë u çue, i bërtiti erës e detit dhe ra një fashitje e thellë.

27Njerëzit u mahnitën e thanë: «Çka asht ky, që po i binden edhe era edhe deti?».

28Kur mbërriti matanë, në krahinën e gadarenëve, ndeshi në dy të djallosun, që po dilnin prej varreve. Ata ishin fort të dhunshëm, aq sa askush nuk mundte me kalue asaj udhe.

29Dhe, ja, vikatën e thanë: «Çka ka mes nesh e teje, o Bir i Hyut? A erdhe me na mundue para kohe?».

30Larg tyne gjendej një tufë e madhe derrash tue kullotë.

31Atëherë i thanë: «Nëse na dëbon, na ço te tufa e derrave».

32Ai u tha: «Shkoni!». Ata dolën e hynë te derrat. Dhe, ja, tanë tufa u turr nga rrëpina në liqen e u mbytën në ujë.

33Çobanët morën arratinë e shkuen në qytet me u tregue të gjithëve në lidhje me të djallosunit.

34Dhe, ja, tanë qyteti i doli para Jezusit, por, kur e panë, iu lutën të largohej prej viseve të tyne.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help