Luka 11 - Albanian Gheg New Testament(ALGNT)

Lutja

1Kur ishte tue u lutë në një vend, mbasi mbaroi, dikush prej nxanësve të vet i tha: «Zot, na mëso me u lutë, sikurse edhe Gjoni i mësoi nxanësit e vet».

2Ai u tha: «Kur të luteni thoni:

Atë, u shenjtnoftë emni yt,

ardhtë mbretnia jote!

3Bukën tonë të nevojshme

na e jep çdo ditë!

4E na i fal mëkatet tona,

se edhe ne ia falim çdo detyruesi tonë.

E mos na shtiej në sprovë».

5Dhe u tha: «Dikush prej jush mund të ketë një mik dhe shkon tek ai në mesnatë e i thotë: “Mik, më jep hua tri bukë,

6se më ka mbërritë një mik i imi prej rruge e nuk kam çka me i shtrue para”.

7E ai përgjigjet nga mbrenda: “Mos më sill shqetësime! Dera asht mbyllë tashma dhe fëmijët e mi janë në gjumë me mue. Nuk mundem me u çue e me të dhanë”.

8Unë po ju them, edhe pse nuk do të çohet me i dhanë se e ka mik, për shkak të parturpësisë së atij do të çohet me i dhanë çka të ketë nevojë.

9Dhe unë po ju them: lypni e ka me ju u dhanë; kërkoni e keni me gjetë; trokitni e ka me ju u hapë,

10se kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, ka me iu hapë.

11Cili prej jush, që asht atë, nëse biri do t'i lypë peshk, në ved të peshkut i jep gjarpën?

12Ose do t'i lypë vezë dhe i jep akrep?

13Nëse ju, që paraqiteni të këqij, dini me u dhanë fëmijëve tuej dhurata të mira, sa herë ma shumë Ati juej qiellit do t'ua japë Shpirtin e shenjtë atyne që ia lypin!».

Jezusi dhe Beelzebuli

14Ai ishte tue nxjerrë një dreq,që ishte memec. Kur ishte tue dalë dreqi, memeci foli e turmat u mahnitën.

15Por disa prej tyne thanë: «Ai i nxjerr dreqnit falë Beelzebulit, prijësit të dreqënve».

16Të tjerë, me e vue në sprovë, i kërkonin një shenjë nga qielli.

17Por ai, tue i ditë mendimet e tyne, u tha: «Çdo mbretni e përçame në vetvete shkretohet dhe shembet shtëpi mbi shtëpi.

18Nëse edhe Satani është i përçamë, si do të qëndrojë mbretnia e tij, meqë thoni se i nxirrkam dreqnit falë Beelzebulit?

19Nëse unë i nxjerr dreqnit falë Beelzebulit, po bijtë tuej, falë kujt i nxjerrin? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuej.

20Por, nëse unë i nxjerr dreqnit falë gishtit të Hyut, atëherë mbretnia e Hyut mbërriti tek ju.

21Kur një njeri i fortë e krejt i armatosun e ruen ndërtesën e vet, plangu i tij asht i qetë.

22Por, kur e mësyen dhe e mposht dikush ma i fortë se ai, ia merr pajimet në të cilat ishte mbështetë e ia shpërndan plaçkën.

23Kush nuk asht me mue, asht kundër meje dhe kush nuk mbledh me mue, shpërhap».

Kthimi i shpirtit të papastër

24«Kur një shpirt i papastër del nga njeriu, endet nëpër vende pa ujë, tue lypë pushim, por pa gjetë. Atëherë thotë: “Do të kthehem te shtëpia ime, prej ku dola”.

25Kur vjen, e gjen të fshieme e të zbukurueme.

26Mandej shkon e kap shtatë shpirtna të tjerë ma të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Dhe gjendja e mbrame e atij njeriu bahet ma e keqe se e para».

Lumnia e vërtetë

27Kur ishte tue thanë këto, një grue nga turma çoi zanin e i tha: «Lum barku që të barti dhe gjijtë që thithe».

28Por ai tha: «Ma të lum janë ata që e ndigjojnë fjalën e Hyut dhe i binden!».

Shenja e Jonës

29Kur po shtoheshin turmat, filloi me thanë: «Kjo brezni asht brezni e ligë. Ajo lyp një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t'i jepet, përveç shenjës së Jonës.

30Sikurse Jona u ba shenjë për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni.

31Mbretnesha e Jugut do të dalë në gjyq me burrat e kësaj breznie e do t'i dënojë, se ajo erdhi nga skajet e dheut me ndie urtinë e Solomonit. Dhe, ja, këtu ka diçka ma shumë se Solomoni.

32Burrat e Ninivës do të dalin në gjyq me këtë brezni e do ta dënojnë, se ata u penduen falë predikimit të Jonës. Dhe, ja, këtu ka diçka ma shumë se Jona».

Drita e trupit

33«Askush që ndez një kandil nuk do ta vejë në një vend të mshehtë apo nën magje, por përmbi ndriçuesin, që të shohin dritën ata që hyjnë.

34Drita e trupit asht syni yt. Kur syni yt asht i shëndoshë, edhe tanë trupi yt asht i ndritun, por, kur asht i sëmundë, edhe trupi yt asht i errët.

35Rueju, pra, që drita në ty të mos jetë terr.

36Nëse, pra, tanë trupi yt asht krej i ndritun, pa pasë pjesë në terr, do të jetë krej i ndritun, porsi kur të ndriçon një kandil shndrit me vezullimin e vet».

Jezusi qorton krerët

37Kur ishte tue folë, një farise iu lut të shkonte me hangër tek ai. Ai shkoi e u ul.

38Fariseu, kur e pa, u çudit, se ai nuk u la para se të hante.

39Mirëpo Zoti i tha: «Tani, ju farisejtë pastroni anën e jashtme të kupës e të pjatës, por mbrendësia juej gëlon me grykësi e ligësi.

40Të pamend! Ai që bani anën e jashtme, a nuk bani edhe të mbrendshmen?

41Prandaj, jepni lëmoshë gjanat e mbrendshme e gjithçka e jueja asht e pastër.

42Por, mjerë ju, farisej, se jepni një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por shpërfillni drejtësinë e dashurinë e Hyut. Këto duhet t'i kryeni, pa i shmangë të tjerat.

43Mjerë ju, farisej, se ua ka anda vendin e parë nëpër sinagoga e përshëndetjet nëpër sheshe!

44Mjerë ju, që jeni si varre të pashenjueme e njerëzit ecin mbi to pa e ditë».

45Një nga ligjtarët iu përgjigj: «Mësues, tue thanë këto, na fyen edhe ne».

46Por ai tha: «Mjerë edhe ju, ligjtarë, se i ngarkoni njerëzit me barrë të randa e vetë nuk i prekni barrët as me një gisht!

47Mjerë ju, se u bani vorret profetëve, të cilët i vranë etnit tuej!

48Kështu dëshmoni se pajtoheni me veprat e etënve tuej, sepse ata i vranë, por ju u bani vorret.

49Prandaj edhe urtia e Hyut tha: “Unë do t'u dërgoj profetë e apostuj, por disa prej tzne do t'i vrasin e disa do t'i përndjekin”,

50që prej kësaj breznie të kërkohet gjakui i profetënve, i derdhun që nga themelimi i botës,

51prej gjakut të Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që e vranë mes altarit e tempullit. Po, po ju them, prej kësaj breznie do të kërkohet.

52Mjerë ju, ligjtzarë, se e hoqët çelësin e dijes! Kështu ju nuk hytë e penguet ata që donin me hy».

53Kur doli, shkrestarët e farisejtë filluen me u zemërue fort e e me i ba pyetje të shumta,

54tue i ngrehë kurth për me e zanë në bef me ndonjë fjalë prej gojës së tij.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help