Marku 1 - Albanian Gheg New Testament(ALGNT)

1Fillimi i kumtit të mirë të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit,

2sikurse asht shkrue te profeti Isaia:

Ja, po dërgoj engjëllin tim para teje

i cili do të përgatisë udhën tande.

3 Zani i dikujt që thërret në shkretinë:

Bani gati udhën e Zotit,

drejtoni shtigjet e tij.

4Në shkretinë u shfaq Gjon Pagëzuesi, tue shpallë një dëlirje pendestare për faljen e mëkateve.

5Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit dilnin te ai e dëlireshin prej tij në lumin Jordan, tue i pranue mëkatet e veta.

6Gjoni ishte i veshun me lesh deveje e me një brez lëkure rreth ijesh. Hante karkaleca e mjaltë të egër.

7Ai shpallte tue thanë: «Po vjen një ma i fortë se unë, mbas meje. Unë nuk jam i denjë me u përkulë e me ia zgjidhë lidhëset e sandaleve.

8Unë ju dëlira me ujë, por ai do t'ju dëlirë me Shpirtin e Shenjtë».

Pagëzimi i Jezusit

9Ato ditë Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u dëlir në Jordan prej Gjonit.

10E, menjëherë, me të dalë prej ujit, pa qiejt shqyem dhe Shpirtin tue zbritë mbi të si pëllumb.

11Një za doli prej qielli: «Ti je im bir, i dashtuni. Ti më pëlqeve».

Sprova e Jezusit

12Dhe menjëherë Shpirti e nxori Jezusin në shkretinë.

13Ai ishte në shkretinë katërdhjetë ditë, i sprovuem prej Satanit. Ishte me egërsinat, por i shërbenin engjëjt.

Fillimi i shërbesës

14Mbas dorëzimit të Gjonit Jezusi erdhi në Galile, tue shpallë lajmin e mirë të Hyjit

15e tue thanë: «U plotësue koha dhe u afrue mbretnia e Hyut. Ndërroni mendje e besoni në lajmin e mirë».

Ndjekësit e parë

16Kur ishte tue kalue pranë detit të Galilesë, pa Simonin dhe Andrenë, vëllanë e Simonit, tue hedhë rrjetën në det, se ishin peshkatarë.

17Atëherë Jezusi u tha: «Ejani mbas meje e do t'ju baj me u kthye në peshkatarë njerëzish»

18E, menjëherë, me të lanë rrjetat, e ndoqën.

19Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, edhe ata në lundër, tue arnue rrjetat.

20Dhe menjëherë i thirri. Me të lanë atin e tyne, Zebedeun, në varkë me mëditësit e vet, shkuen mbas tij.

Dëbimi i shpirtit të ndytë

21Atëherë shkuen në Kafarnaum e, menjëherë, të shtunën, hyni në sinagogë e ai po jete një mësim.

22Ata habiteshin me mësimin e tij, se ishte tue i mësue si një që ka pushtet e jo si shkruesit.

23Dhe, menjëherë, sinagogën e tyne ishte një njeri me një frymë të papastër, cili bërtiti

24tue thanë: «Çka ke me ne, o Jezus Nazaretasi? A erdhe me na shkatërrue? E di kush je: shenjti i Hyjit».

25Por Jezusi e kërcënoi e i tha: «Mej e dil prej tij!».

26Atëherë fryma e papastër e shkundulloi dhe, mbasi bërtiti me za të naltë, doli prej tij.

27Ata u mahnitën të gjithë dhe pyetnin njani-tjetrin: «Çka asht kjo gja? Nji mësim i ri, me pushtet! Edhe shpirtënt e papastër i urdhnon dhe e ndëgjojnë».

28E i doli zani menjëherë kudo, në të gjithë krahinën e Galilesë.

Në shtëpinë e Pjetrit

29E menjëherë, me të dalë nga sinagoga, hynë në shtëpinë e Simonit e të Andresë, me Jakobin dhe Gjonin.

30Vjehrra e Simonit dirgjej prej zjarrmisë dhe i treguen menjëherë për të.

31Sapo u afrue, e ngriti, tue e marrë për dore. Zjarrmia i ra dhe ajo u shërbente.

32Kur u ba mbramje, mbasi kishte perëndue dielli, sollën tek ai të gjithë ata që kishin lëngata e të djallosunit.

33Mbarë qyteti ishte mbledhë te dera.

34Ai shëroi shumë nga ata që kishin lëngata të ndryshme dhe dëboi shumë djaj. Djajtë nuk i la me folë, se e njihnin.

Predikimi në Galile

35Në ag, kur terri ishte ende i dendun, u çue, doli, shkoi në një vend të vetmuem e atje u lut.

36Simoni dhe ata që ishin me të e gjurmuen.

37Kur e gjetën i thanë: «Të gjithë të kërkojnë».

38Ai u tha: «Të shkojmë tjetërkund, në katundet e afërme, që të predikoj edhe atje, se prandaj dola».

39E shkoi tue predikue nëpër sinagogat e tynë, në mbarë Galilenë, e tue debue djajtë.

Pastrimi i të gërbulunit

40Atëherë erdhi tek ai një i gërbulun, tue e thirrë, tue u gjunjëzue e tue i thanë: «Po të duesh, ti mundesh me më pastrue».

41Ai u mallëngjye, shtriu dorën, e preku e i tha: «Due. Kjosh pastrue!».

42E menjëherë u largue prej tij gërbula dhe ai u pastrue.

43Atëherë e porositi, e nisi menjëherë

44e i tha: «Shih se mos i thue kujt, por shko, paraqitu tek prifti dhe kushto për pastrimin tand çka ka urdhnue Moisiu, si dëshmi për ta».

45Por, me të dalë, filloi me e shpallë fort dhe me e hapë fjalën, saqë ai nuk mundte ma me hy në qytet haptas, por ndenji përjashta, në vende të vetmueme, por vinin tek ai prej gjithkah.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help