Marku 14 - Albanian Gheg New Testament(ALGNT)

Vendimi për vdekje

1Pashkët dhe bukët e pambrueme ishin mbas dy ditësh dhe kryepriftënt e shkrojësit hetonin si ta kapnin me rreng e ta vritnin,

2se thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ketë pështjellim popullsie».

Vojimi në Betani

3Kur ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit, të gërbulunit, mbasi ishte ulë me hangër, erdhi një grue me një enë alabastri me voj kundërmues nardi të pastër, shumë të shtrenjtë. Ajo e theu enën e alabastrit dhe ia zbrazi mbi krye.

4Pati disa që folën të zemëruem me njani-tjetrin: «Çka asht kjo shkapërderdhje e vojit kundërmues?

5Ky voj kundërmues mundte me u shitë ma shumë se treqind dinarë e me ua dhanë të vorfënve». E i hakërreheshin asaj.

6Por Jezusi tha: «Lenie atë! Pse po i qitni telashe? Ajo kreu nji vepër të bukur ndaj meje.

7Të vorfënt i keni përherë me vete e kur të doni mund t'u bani mirë, por mue nuk më ken i përherë.

8Ajo bani çka mundi. Ma kundërmoi trupin paraprakisht, për me e përgatitë për varrim.

9Vërtet po ju them, kudo të kumtohet ungjilli, në tanë botën, do të flitet edhe për çka bani kjo, në përkujtim të saj.»

Ujdia e Judës

10Atëherë Judë Iskarioti, njani nga të dymbëdhjetët, shkoi te kryepriftënt, për me ua dorëzue.

11Si dëgjuen, ata u gëzuen e i premtuen se do t'i jepnin pare. Ai, atëherë, vristre mendjen si me e dorëzue në nji rast të volitshëm.

Darka e pashkëve

12Ditën e parë të bukëve të pambrueme, kur flijohej Pashka, nxanësit e vet i thanë: «Ku don të shkojmë e të bajmë përgatitjet, që të të hash Pashkën?».

13Atëherë dërgoi dy nga nxanësit e vet e u tha: «Shkoni në qytet e do të hasni në një njeri të ngarkuem me një shtambë uji. Shkoni mbas tij.

14Kudo të hyjë ai, thuejini të zotit të shtëpisë: "Mësuesi thotë: ku asht dhoma ime e pritjes, ku të ha Pashkën me nxanësit e mi?".

15Ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe në katin e epërm, të shtrueme e të bame gati. Aty na gatitni».

16Nxanësit dolën, mbërritën në qytet, gjetën siç u kishte thanë ai dhe gatitën Pashkën.

17Kur u ba mbramje, ai vjen me të dymbëdhjetët.

18Në sa ishin shtrue e po hanin, Jezusi tha: «Njimend po ju them: njani pre jush do të më dorëzojë. Ai që po ha me mue».

19Ata zuen me u trishtue e me e pyetë njani mbas tjetrit: «A jo unë?»

20Ai u tha: «Njani prej të dymbëdhjetëve, ai që ngjyen në një kupë me mue.

21Se Biri i njeriut ik siç asht shkrue për të, por mjerë për atë njeri prej të cilit po dorëzohet Biri i njeriut. Mirë për të, po të mis ishte lindë ai njeri».

Darka e falënderimit

22Ndërsa po hanin, si mori bukën e tha bekimin, e theu, ua dha e tha: «Merrni. Ky asht trupi im».

23Mandej mori gotën. Si tha falënderimin, ua dha e pinë prej saj të gjithë.

24Ai u tha: «Ky ash gjaku im i besëlidhjes, që do të derdhet për të shumët.

25Vërtet po ju them se nuk do të pi ma nga fryti i hardhisë deri atë ditë kur ta pi të përtërimë në mbretninë e Hyut».

26Si kënduen himnin, dolën në Malin e Ullijve.

Paralajmërimi i mohimit të Pjetrit

27Jezusi u tha: «Të gjithë do të ngecni, se asht shkrue:

do t'i bie bariut

e delet do të hallakaten.

28Por, kur të ngjallem, do të shkoj para jush në Galile».

29Por Pjetri i tha: «Edhe po të ngecin të gjithë, unë, përkundër, jo!».

30Jezusi iu përgjigj: «Vërtet po të them se ti, mun sot, në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, tri herë do të më çnjohësh».

31Por ai foli me ngulm: «Edhe po të më duhet të vdes me ty, nuk kam me të çnjohtë». Por edhe të tjerët thanë njësoj.

Lutja në Gjetseman

32Atëherë shkuen në vendin me emnin Gjetsemani e ai u tha nxanësve të vet: «Rrini ulun këtu ndërsa unë lutem».

33Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e filloi me u tronditë e me u ngushtue.

34Mandej u tha: «E kam shpirtin të trishtuem deri në vdekje. Rrini këtu e rrini zgjuet».

35Mbasi u largue pak, ra përdhe e u lut që, po të ishte e mundun, të kalonte prej tij ora.

36E tha: «Abba, Atë, ty të asht e mundun gjithçka. Ma hiq këtë kupë. Megjithatë, jo çka due unë, por çka don ti».

37Erdhi e i gjeti tue fjetë. Atëherë i tha Pjetrit: «Simon, po flen? Nuk munde me ndenjë zgjuet nji orë?

38Rrini zgjuet e lutuni që të mos hyni në sprovë. Shpirti njëmend asht gati, por mishi asht i plogët».

39E prapë shkoi me u lutë, tue thanë të njajtën gja.

40Rishtas erdhi e i gjeti tue fjetë, se u ishin randue sytë, e nuk dinin çka me iu përgjigjë.

41Vjen për të tretën herë e u thotë: «Flini, prej tashit, e pushoni. Mjaft. Erdhi ora. Ja, biri i njeriut po dorëzohet në duert e mëkatnorëve.

42Çohuni të shkojmë. Ja, ai që po më dorëzon, u afrue».

Dorëzimi dhe kapja

43E menjiherë, ndërsa ende po fliste, mbërriti Juda, njani prej të dymbëdhjetëve, e bashkë me të nji turmë me shpata e shkopinj, prej kryepriftënve, shkrojësve e pleqve.

44Dorëzuesi u kishte dhanë nji shenjë, tue u thanë: «Kë të puth unë, ai asht. Kapeni e merreni në rojë».

45Kur mbërriti, menjiherë iu afrue e e tha: «Rabbi!», dhe e puthi fort.

46Atëherë vunë dorë në të dhe e kapën.

47Dikush prej të pranishmëve nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit e i këputi veshin.

48Jezusi ia ktheu e tha: «Si kundër një kusari paskeni dalë me më marrë, me shpata e hunj.

49Çdo ditë isha tek ju në tempull, tue mësue, e nuk më kapët. Por le të zbatohen plotësisht Shkrimet».

50Mandej e lanë e ikën të gjithë.

Jezusi para këshillit

51Një djalosh, mbështjellë me një pëlhurë mbi lakuriqësinë e vet, po e ndiqte, por e kapën.

52Megjithatë, e la përhurën e iku lakuriq.

Para gjyqit të këshillit

53E çuen Jezusin te kryeprifti. Atëherë u mblodhën të gjithë kryepriftënt, pleqtë e shkrojësit.

54Pjetri e ndoqi prej së largu deri te tremja e kryepriftit dhe rrinte ulun me ndihmësit e ngrohej pranë zjarrit.

55Mirëpo kryepriftënt e tanë sinedri kërkonin një dëshmi kundër Jezusit, për me e vra, por nuk e gjenin.

56Të shumtë qenë ata që dëshmonin rrejshëm kundër tij, por dëshmitë e tij nuk puqeshin.

57Disa u çuen tue dëshmue rrejshëm kundër tij e tue thanë:

58«Ne e ndigjuem tue thanë: "Unë do ta shemb këtë tempull të bamë me duer e mbas tri ditësh do të ndërtoj një tjetër të të bamë pa duer"».

59Por as kështu nuk kishte puqje dëshmia e tyne.

60Atëherë kryeprifti u çue para tyne dhe e pyeti Jezusin, tue thanë: «Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmëjnë këta kundër teje?»

61Por i heshtte e nuk u përgjigj fare. Kryeprifti e pyeste prapë. E i thotë: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuemit?».

62Jezusi tha: «Unë jam.

E do ta shihni të Birin e njeriut

tue ndenjë në të djathtën e Fuqisë

e tue ardhë me retë e qielli».

63Mirëpo kryeprifti, me të shqye petkat e veta, thotë: «Për çka tjetër na lypet me pasë dëshmitarë?

64E ndigjuet blasfeminë. Çka ju duket?». Atëherë të gjithë gjykuen se ishte i denjë për vdekje.

65Disa filluen me e pështye, me ia mbulue fytyrën dhe me e gjuejt. I thonë: «Gjeje!». Edhe ndihmësit zuen me i ra me shpulla.

Çnjohja e Pjetrit

66Kur Pjetri asht poshtë në treme, vjen një prej shërbyeseve të kryepriftit.

67Ajo e pa pjetrin tue u ngrohë, e, mbasi e kqyri e i thotë: «Edhe ti ishte me Nazaretasin, me Jezusin».

68Por ai e çnjohu, tue thanë: «Nuk e di as nuk po kuptoj çka po thue». E doli jashtë, në paratreme. Atëherë gjeli këndoi.

69Kur shërbyesja e pa, filloi prapë me u thanë të pranishmëve: «Ky asht një prej tyne».

70Por ai e çnjohu sërish. Mbas pak të pranishmit i thoshin prapë Pjetrit: «Vërtet je një prej tyne, se je galileas».

...

71Por ai filloi me nemë e me u betue: «Nuk e njoh këtë njeriun për të cilin po flitni».

72E menjëherë gjeli këndoi për së dyti. Pjetrit iu kujtuen fjalët që i kishte thanë Jezusi: «Para se gjeli të këndojë dy herë, tri herë do të më çnjohësh». Atëherë u shkreh dhe qante.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help