Marku 4 - Albanian Gheg New Testament(ALGNT)

Bujku

1Prapë filloi me i mësue buzë detit dhe te ai u mblodh nji turmë shumë e madhe, aq sa hipi në një varkë, për me ndenjtë në det, ndërsa tanë turma ishte në tokë, buzë detit.

2I mësonte me shumë shëmbëlltyra dhe, tue i mësue, u tha:

3«Ndigjoni! Ja, doli mbjellësi me mbjellë.

4Ndodhi që, kur ishte tue mbjellë, e hodhi ndanë udhës, por erdhën shpendët dhe e hangrën.

5Tjetrën e hodhi në zall, ku nuk kishte shumë dhè, e menjëherë mbiu, se nuk kishte thellësi dheu.

6Por, kur u ngrit dielli, u përcëllue e, mbasi nuk kishte rranjë, u tha.

7Tjetrën e hodhi ndër ferra, por u rritën ferrat dhe e furën, prandaj nuk dha fryt.

8Tjetrën e hodhi në tokë të mirë e dha fryt, tue u rritë e tue u harbue, prandaj nji prodhoi tridhjetë, nji gjashtëdhjetë e nji njiqind».

9Atëherë u tha: «Kush ka veshë me ndigjue, të ndigjojë!».

Synimi i shëmbëlltyrave

10Kur mbeti vetëm, ata që kishte përreth, bashkë me të dymbëdhjetët, e pyetën për shëmbëlltyrat.

11U tha: «Juve ju asht dhanë e fshehtësia e mbretnisë së Hyut, kurse atyne që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra,

12që,

tue pa, të shohin,

por të mos ndërmenden;

tue ndigjue, të ndigjonjnë,

por të mos kuptojnë,

që të mos kthehen e t'u falet».

Kuptimi i shëmbëlltyrës

13Atëherë u tha: «Nuk e dikeni këtë shëmbëlltyrë e si mund t'i njihni shëmbëlltyrat e tjera?

14Mbjellësi mbjell fjalën.

15Këta janë ata bri udhës ku mbillet fjala dhe, mbasi ta kenë ndigjue, menjiherë vjen Satani dhe e heq fjalën që asht mbjellë në ta.

16Këta janë ata të mbjellë në zall, të cilët, kur e ndigjojnë fjalën, e pranojnë fill me gëzim,

17por nuk kanë rrajë në vete e janë të përkohshëm. Mbasi të vijë pikëllimi e përndjekja për shkak të fjalës, zvirdhen menjëherë.

18Të tjerët janë ata të mbjellë ndër ferra. Këta janë ata që e ndigjojnë fjalën,

19por angaritë e kohës dhe joshja e pasunisë e epshi për gjana të tjera futen dhe e furin fjalën e bahet shterpë.

20Por të tillët janë ata që u mbollën në tokë të mirë, që e ndigjojnë fjalën dhe e pranojnë, prandaj japin fryt, nji tridhjetë, nji gjashtëdhjetë e nji njiqind».

Kandili dhe masat

21Atëherë u tha: «Mos vjen kandili për me u vu nën magjë apo nën shtrat e jo për me u vu mbi shandan?

22Nuk ka gja të fshehtë, përpos që me u shfaqë, as bahet e fshehtë, përpos që me dalë në pah.

23Kush ka veshë me ndigjue, të ndigjojë».

24Dhe u tha: «Kqyrni çka ndigjoni: me atë masë me të cilën matni do të matet edhe për ju e do t'ju shtohet,

25se kush ka, atij do t'i jepet e kujt nuk ka do t'i merret».

Rritja e mbretërisë

26E tha: «Kështu asht mbretnia e Hyut: si njeriu që hodhi farën në tokë.

27Edhe po të flejë edhe po të rrijë çuet, edhe natën edhe ditën, fara bin e rritet dhe ai nuk e din si.

28Vetvetiu toka prodhon ma parë kërcyellin, mandej kallinin, mandej kokrrën e plotë në kalli.

29Kur të piqet fryti, çon menjëherë drapnin, se janë të korrat».

Fara e sinapit

30Dhe tha: «Si ta përngjajmë mbretninë e Hyut, ose me cilën shëmbëllesë ta parashtrojmë?

31Si kokrra e sinapit, që, kur mbillet në dhè, asht ma e vogla ndër të tana farat që gjenden mbi dhè,

32por, kur mbillet, naltohet e bahet ma e madhja ndër të tana barishtet dhe hedh degë të mëdha, aq sa nën hijen e tij shpendtë e qiellit munden me vu strofullën e vet».

Randësia e shëmbëlltyrave

33Me shumë shëmbëlltyra të tilla ua thoshte fjalën, aq sa kishin mundësi me ndigjue.

34Pa shëmbëlltyra nuk u fliste, por nxanësve të vet ua shtjellonte të gjitha më vete.

Qetësimi i stuhisë

35Atë ditë, kur ra mbramja, u tha: «Të kalojmë në bregun tjetër».

36Mbasi e lanë turmën, e morën siç ishte në një lundër. Edhe disa lundra të tjera ishin me të.

37Fryu nji furtunë e madhe ere dhe dallgët përplaseshin me lundrën, aq sa e mbushën lundrën.

38Ai ishte në kiç, mbi një nënkresë, tue fjetë. Atëherë e çojnë e i thonë: «Mësues, a s'të bahet vonë se po rroposemi?».

39Ai u zgjue, i bërtiti erës e i tha detit: «Mej, qetësohu!». Era pushoi e ra fashitje e thellë.

40Mandej u tha: «Pse jeni tutësa? Nuk keni ende fe?».

41Por ata tuteshin prej frikës së madhe e i thoshin njani-tjetrit: «Kush asht, bre, ky, që edhe era edhe deti i binden?».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help