Luka 7 - Albanian Gheg New Testament(ALGNT)

Besimi i centurionit

1Kur i plotësoi të gjitha fjalët e veta për popullin që e ndigjonte, shkoi në Kafarnaum.

2Një centurion kishte një shërbëtor të sëmundë, gati tue vdekë, i cili ishte i çmueshëm për të.

3Kur ndigjoi për Jezusin, nisi tek ai disa pleq të judejve, me iu lutë që të vinte e t'i shëronte shërbëtorin.

4Kur mbërritën te Jezusi, iu lutën me ngulm e i thanë: «Ai asht i denjë për këtë veprim,

5se e don kombin tonë. Edhe sinagogën ai na e ka ndërtue».

6Atëherë Jezusi shkoi me ta, por, kur ishte tashma jo larg nga shtëpia, centurioni i çoi disa miq me i thanë: «Zot, mos u mundo, se nuk jam i përshtatshëm që ti të hysh nën pullazin tim,

7prandaj as s'e mbajta veten të denjë me ardhë te ti. Por, thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet.

8Edhe unë, që jam njeri i caktuem nën një pushtet, tue pasë ushtarë nën vete, i them njanit: “Shko!”. E ai shkon. Dhe tjetrit: “Eja!”. E ai vjen. Dhe i them shërbëtorit tim “Bane këtë!”. E ai e ban».

9Mbasi i ndigjoi këto, Jezusi u mahnit prej tij. Atëherë u kthye e i tha turmës që po e ndiqte: «Po jua them, as në Izrael s'e gjeta një besim të tillë».

10Ata u kthyen në shtëpi dhe e gjetën shërbëtorin të shëruem.

Ngjallja e djalit të vejushës

11Fill ma vonë shkoi në një qytet që quhej Nain. Shkuen me të edhe nxanësit e tij dhe e një turmë e madhe.

12Kur iu afruen portës së qytetit, po bartej përjashta një i vdekun, bir i vetëm i nanës së vet, e cila ishte e vejë e me të cilën gjendej edhe një turmë e madhe prej qytetit.

13Kur e pa, Zoti u përmallue prej saj e i tha: «Mos qaj!».

14U afrue dhe preku vigun. Bartësit u ndalën e ai tha: «Djalosh, po të them: çohu!».

15I vdekuni u çue e nisi me folë. Atëherë ia dorëzoi të amës.

16Të gjithë i zuni frika dhe lëvdonin Hyun tue thanë: «Një profet i madh u ngrit ndër ne» dhe: «Hyu i ktheu sytë te populli i vet».

17Atëherë doli fjala për të në mbarë Judenë e në rrethinë.

Lajmëtarët e Gjon Pagëzorit

18Nxanësit e vet e njoftuen Gjonin për gjithçka. Atëherë Gjoni thirri dy prej nxanësve të vet

19e i dërgoi te Zoti, me i thanë: «A je ti ai që ka me ardhë, apo të presim një tjetër?».

20Kur burrat mbërritën te ai, i thanë: «Gjon Pagëzuesi na dërgoi te ti me të pyetë: “A je ti ai që ka me ardhë, apo të presim një tjetër?”».

21Në atë çast kishte shërue shumë vetë nga sëmundjet, nga lëngatat e nga shpirtnat e këqij dhe shumë të verbtëve u kishte dhanë hirin me pa.

22Atëherë u përgjigj e u tha: «Shkoni e njoftojeni Gjonin për çka patë e ndgjuet. Të verbtit po shohin prap e të çalët po ecin, të gërbulun it po pastrohen e të shurdhëtit po ndigjojnë, të vdekunit po ngjallen e të varfënve po u kumtohet ungjilli.

23Lum ai që nuk pengohet prej meje».

24Kur u larguen lajmëtarët e Gjonit, filloi me u folë turmave për Gjonin: «Çka dolët me pa në shkretinë? Një kallam të luhatun nga era?

25Çka shkuet me pa, pra? Një njeri të veshun butë? Ja, ata që vishen me petka të shqueme e që zotnojnë mirakande gjenden në pallatet mbretërore.

26Por, çka shkuet me pa? Një profet? Po, po ju them, edhe ma shumë se një profet.

27Gjoni është ai për të cilin asht shkrue:

Ja, po dërgoj lajmëtarin tim

para teje,

që do të përgatisë udhën tande

para teje.

28Vërtet po ju them, ndër të lindunit prej grave askush nuk asht ma i madh se Gjoni. Por, ma i vogli në mbretninë e Hyut asht ma i madh se ai».

29Tanë populli që e ndigjoi, si edhe tagrambledhësit, i dhanë të drejtë Hyt, tue u pagëzue me pagëzimin e Gjonit.

30Por farisejtë dhe mësuesit e ligjit e përjashtuen vullnetin e Hyut e nuk u pagëzuen prej tij.

31«Me kë, pra do t'i krahasoj njerëzit e kësaj breznie? Me kë ngjasojnë?

32U ngjajnë fëmijëve që rrinë ulun në sheh dhe i thërrasin njani-tjetrit:

“I ramë fyellit për ju

e nuk kcyet,

vajtuem nuk kjatë”.

33Erdhi Gjon Pagëzuesi, që as ha bukë e as pi venë, e thoni: “Ka dreqin”.

34Erdhi Biri i njeriut, që ha e pi, e ju thoni: “Ja, një njeri grykës e pijanec, mik i tagrambledhësve e i mëkatarëve”.

35Por, urtisë i dalin zot bijtë e vet».

Falja e grues mëkatare

36Një prej farisejve iu lut të hante me të e ai hyni në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.

37Dhe, ja, në qytet gjendej një grue mëkatare. Kur ajo mori vesh se ai ishte në tryezë në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me mirrë.

38Ndenjti mbrapa, te këmbët e tij, tue kja, dhe filloi me ia njomë kambët me lot e me ia terë me flokët e vet. Ia puthte kambët e ia lyente me mirrë.

39Kur e pa fariseu, që e kishte ftue, tha me vete: «Po të ishte profet, do ta dinte kush asht e ç'lloj grueje që po e prek, se asht mëkatare».

40Jezui iu përgjigj e i tha: «Simon, kam me të thanë diçka». E ai: «Mësues, thuej».

41«Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhanësi. Njani detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë.

42Tue mos qenë të aftë me ia kthye, ua fali të dyve. Cili prej tyne do ta dojë ma shumë?».

43Simoni iu përgjigj: «Mendoj ai të cilit i fali detyrimin ma të madh». Ai i tha: «Gjzkove drejt».

44Atëherë u kthye kah grueja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grue? Hyna në shtëpinë tande e ti nuk më dhe as ujë për kambët. Ajo, përkundër, m'i njomi me lotët e veta e m'i teri me flokët e veta.

45Ti nuk ma dhe puthjen. Ajo, përkundër, qysh se hyra, nuk nuk ndalet së puthuni kambët e mia.

46Ti nuk ma lyeve kryet me voj. Ajo, përkundër, me mirrë m'i leu kambët.

47Prandaj po të them, i janë falë mëkatet e shumta, prandaj dashunoi shumë. Por, ai të cilit i asht falë pak, pak dashunon».

48Atëherë i tha asaj: «Të janë falë mëkatet».

49Ata që ishin me të në tryezë nisën me thanë ndër vete: «Kush asht ky që edhe mëkatet i falka?».

50Por ai i tha grues: «Besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help