Marku 6 - Albanian Gheg New Testament(ALGNT)

Mosbesimi i të vetve

1Jezusi u largue prej andej e shkoi në vendlindje. Edhe nxanësit e vet e ndoqën.

2Kur erdhi e shtuna, filloi me mësue në sinagogë dhe shumë vetë, tue ndigjue, mrekulloheshin e thoshin: «Po këto nga i vijnë? Çka asht kjo dije që i asht dhanë e këto fuqi që dalin prej duerve të tij?

3A nuk asht ky zdrukthtari, i biri i Marisë, vllai i Jakobit, i Josesë, i Judës e i Simonit? A nuk janë motrat e tij këtu ndër ne? E pengoheshin në të».

4Atëhetë Jezusi u tha: «Profeti nuk asht i panderuem, përpos në vendlindjen e vet, në fisin e vet e në shtëpinë e vet».

5E nuk mund me ba atje asnji vepër të fuqishme, përveçse vuni duert mbi pak të smundë e i shëroi.

6E habitej prej mosbesimit të tyne.

Dërgimi i të dymbëdhjetëve

Atëherë u soll nëpër fshatnat përreth tue mësue të tjerët.

7Mandej thirri të dymbëdhjetët, filloi me i dërgue dy nga dy e u dha pushtet mbi shpirtënt e padlirë.

8I urdhnoi mos me marrë kurrgja për rrugë, përveç nji shkopi të vetëm: as bukë, as torbë, as brezin e monedhave,

9por me mbathë sandale e mos me veshë dy palë petka.

10E u tha: «Në cilëndo shtëpi të hyni, rrini aty deri kur të dilni prej andej.

11Nëse ndonjë vend nuk ju pranon e nuk ju ndigjojnë, tue u nda prej andej, shkundni pluhunin përnan kambëve tueja si dëshmi për ta».

12Ata dolën e dhanë kumtin që njerëzit të ndërronin mendje.

13Nxirnin shumë djaj, lyenin me voj shumë të smundë e i shëronin.

Vdekja e Gjonit

14Mbreti herod kishte marrë vesh, se emni i tij ishte ba i njohun. Thoshin: «Gjon Pagëzuesi asht ngritë nga të vdekunit, prandaj veprojnë fuqitë në të».

15Por të tjerë thoshin: «Asht Elia». Të tjerë thoshin: «Asht profet si nji ndrë profetët».

16Herodi, kur ndigjoi, tha: «Gjoni, të cilit ia preva kryet, u ngrit».

17Se Herodi vetë kishte dërgue njerëz për me e kapë Gjonin e me e lidhë në burg, për shkak të Herodiadës, grues së Filipit, të vllait të vet, se ai ishte martue me të.

18Gjoni i thoshte Herodit: «Nuk të lejohet me mbajtë gruen e vllait tand».

19Herodiada e urrente dhe donte me e vra, por nuk mundte

20se Herodi e kishte frikë Gjonin, tue njohë si njeri të drejtë e të shejtë, prandaj e mbronte. Kur e ndigjonte, vagllohej fort, por ia kishte anda me e ndigjue.

21Por rasti doli nji ditë, kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi nji gosti për rangun e vet, për kryeushtarakët e për të parët e Galilesë.

22Kur bija e Herodiadës hyni e kceu, i pëlqeu Herodit e gostarëve të tij. Atëherë mbreti i tha vogëlushes: «Më lyp çka të duesh e do të ta jap».

23E i bani be të madhe: «Çkado të më lypësh do të ta jap. Deri edhe gjysën e mbretnisë time».

24Ajo doli e i tha nanës së vet: «Çka të lyp?».

Iu përgjigj: «Kryet e Gjon Pagëzuesit».

25Ajo u kthye menjiherë me ngut të mbreti e lypi tue thanë: «Due me më dhanë fill në pjatë kryet e Gjon Pagëzuesit».

26Mbreti u trishtue shumë për benë por, për shkak të bujtësve, nuk deshi me e kthye.

27Atëherë mbreti dërgoi menjiherë nji roje e urdhnoi me ia sjellë kryet. Ai shkoi e ia preu kryet në burg.

28Ia solli kryet në pjatë, ia dha vogëlushes e vogëlushja ia dha së amës.

29Kur nxanësit e Gjonit morën vesh, erdhën, morën trupin dhe e shtien në vorr.

Dy bukë e pesë peshq

30Apostujt u mblodhën te Jezusi dhe i treguen gjithçka që kishin ba e u kishin mësue të tjerëve.

31Ai u tha: «Ejani ju vetë për vete në një vend të vetmuem e pushoni pak». Se ishin të shumtë ata që vinin e shkonin e nuk u dilte rasti as me ngranë.

32Dhe u larguen me varkë drejt nji vendi të pabanuem, vetëm.

33Pos shumë vetë, kur i panë tue u largue, i dalluen, vrapuen atje bashkë e mbërritën para atyne.

34Kur zbriti, pa nji turmë të madhe e u prek prej tyne, se ishin si delet që nuk kanë bari, prandaj filloi me u mësue shumë gjana.

35Kur tashma ishte ba orë e vonë, nxanësit iu afruen e thanë: «Vendi asht i pabanuem e tashma shkoi ora vonë.

36Nisi ata, që të shkojnë te bujqit përreth e nëpër fshatna të blejnë me ngranë për vete».

37Ai iu përgjigj: «Jepuni ju me ngranë». Ata i thanë: «A të shkojmë me ble dyqind denarë bukë e t'u japim me ngranë?»

38Por ai u tha: «Sa bukë keni? Shkoni e shihni». Mbasi e dinin, i thanë: «Pesë. Edhe dy peshq».

39Atëherë i urdhnoi me i shtrue të gjithë tok me tog në barin e gjelbërt.

40Atëherë u shtruen grupe-grupe nga njiqind e nga pesëdhjetë.

41Tue marrë pesë bukët e dy peshqit, pau nalt në qiell, u falënderue, i theu bukët e ua dha nxanësve, që t'ua shtronin para. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve.

42Të gjithë hangrën e u nginë

43dhe morën dymbëdhjetë shporta plot me copat e thyeme e me tepricat e peshqve.

44Ata që kishin ngranë bukët ishin pesëmijë burra.

Jezusi mbi ujë

45Mandej menjiherë i detyroi nxanësit e vet me hy në varkë e me shkue matanë para tij, në Betsaidë, ndërsa ai do të shpërndantë turmën.

46Mbasi u nda prej tyne, shkoi në mal me u lutë.

47Kur u ba vonë, varka ishte në mes të detit, ndërsa ai i vetëm në tokë.

48Tue pa se ata po stërmundoheshin tue vozitë, se kishin erën kundër, rreth rojës së katërt të natës vjen drejt tyne tue ecë përmbi det e deshi me kalue bri tyne.

49Por ata, kur e panë mbi det tue ecë, menduen se asht hije e bërtitën,

50se e panë të gjithë e u tmerruen. Por ai foli menjiherë me ta e u tha: «Gajret, jam unë. Mos u trembni».

51Mandej hipi në varkë te ata e pushoi era. Ishin tejet të çoroditun

52se nuk kishin kuptue gja për bukën, por e kishin zemrën të pandijshme.

Shërimet në Genesaret

53Kaluen përtej, mbërritën në tokë në Genesaret e lidhën varkën.

54Kur dolën nga lundra e njohën menjiherë

55dhe morën vrapin nëpër tanë atë krahinë e filluen me i mbartë të smundët mbi shtroja e me i sjellë kudo gjendej ai.

56Kudo të hynte, në fshatna, në qytete a në katunde, i vendosnin të mekunit nëpër sheshe e i luteshin me cekë vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e preknin shëroheshin.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help