Luka 4 - Albanian Gheg New Testament(ALGNT)

Sprova e Jezusit

1Atëherë, Jezusi, plot me Shpirtin e Shenjtë, u kthye prej Jordanit dhe, me anë të Shpirtit, u çue në shkretinë

2për katëdhjetë ditë, tue u vue në sprovë prej djallit. Nuk hangri asgja gjatë atyne ditëve, prandaj, kur u sosën, pati uri.

3Atëherë djalli i tha: «Nëse je Biri i Hyut, thueji këtij guri të bahet bukë».

4E Jezusi iu përgjigj: «Ash e shkrueme: jo vetëm prej buke do të jetojë njeriu».

5Djalli e ngriti nalt e i diftoi të tana mbretnitë e botës në një grimcë kohe

6e i tha: «Ty do të ta jap tanë këtë pushtet, bashkë me lavdinë e tyne, se mue më asht dorëzue e ia jap kujt të due.

7Nëse ti, pra, përkulesh para meje, gjithçka do të jetë e jotja».

8Jezusi iu përgjigj e i tha: «Asht e shkrueme:

Zotin, Hyun tand adhuro

e vetëm atij shërbeji».

9Porse djalli e çoi në Jerusalem dhe e vuni në kulmin e tempullit e i tha: «Nëse je bir i Hyut, hidhu poshtë prej këtu,

10se asht e shkrueme:

Engjëjve të vet ka me i urdhnue për ty,

me u përkujdesë për ty

11dhe

mbi duer kanë me të mbartë,

që të mos hasë në gur kamba jote».

12Por Jezusi iu përgjigj e tha: «Ka qenë thanë: mos e sprovo Zotin, Hyun tand».

13Atëherë, mbasi i kreu të tana tundimet, djalli i ndejti larg deri në në rastin e volitshëm.

Jezusi në Galile

14Atëherë Jezusi u kthye në Galile, me fuqinë e Shpirtit, dhe doli zani për të në të gjitha rrethinat.

15Mësonte nëpër sinagogat e tyne dhe lëvdohej prej të gjithëve.

Kundërshtia në vendlindje

16Erdhi në Nazaret, ku ishte rritë, dhe, siç e kishte zakon ditën e shtunë, hyni në singogë e u ngrit me lexue.

17Iu dha libri i profetit Isaia. Ai e çrrotulloi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkrue:

18 «Shpirti i Zotit asht mbi mue

ai më vojoi

me u kumtue të vobektëve harenë,

më dërgoi

me u shpallë të robnuemë lirimin

e të verbtëve pamjen,

me i nisë në liri të ndrydhunit,

19 me lajmërue vitin e hirit të Zotit».

20E rrotulloi librin, ia ktheu shërbyesit dhe u ul. Të gjithë ata që ishin në sinagogë ia kishin ngulë sytë.

21Jezusi filloi me u thanë: «Sot ash plotësue ky shkrim, në veshët tuej».

22Të gjithë jepnin dëshmi për të e mahniteshin me fjalët e hijshme që rridhnin prej gojës së tij. E thonin: «A nuk asht ky biri i Jozefit?».

23Ai u tha: «Jo do të më thoni mirëfilli këtë fjalë të urtë: "Mjek, shëro veten! Çka ndigjuem që ka ndodhë në Kafarnaum, bane edhe këtu, në vendlindjen tande!"»

24Por ai u tha: «Vërtet po ju them, asnjë profet nuk asht i pritun në vendlindjen e vet.

25Për të vërtetë po ju them, vejushat ishin të shumta në kohën e Elisë në Izrael, kur u ndrye qielli për tri vjet e gjashtë muej, kur ra uria e madhe në mbarë dheun,

26por te asnjena prej tyne nuk u dërgue Elia, përveçse në Sareptë të Sidonit, të një grue e vejë.

27Shumë të gërbulun kishte në Izrael në kohën e Eliseut Profet, por asnjë prej tyne nuk u pastrue, përveç Naman Sirianit».

28Të gjithë të pranishmit në sinagogë u mbushën me idhnim, tue ndigjue këto gjana.

29U çuen, e dëbuen përjashta qytetit dhe e sollën deri në zgripin e malit ku ishte ndërtue qyteti i tyne, për me gremisë.

30Por ai ecte, tue kalue mes tyne.

Njeriu me një shpirt të papastër

31Atëherë zbriti në Kafarnaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte të shtunën.

32Ata habiteshin me mësimin e tij, se të folunit e tij ishte me autoritet.

33Në sinagogë ishte një njeri, që kishte shpirtin e një dreqi të papastër, i cili gërthiti me za të naltë:

34«Ah, çka ke me ne, Jezus Nazareni? A erdhe me na rrënue? E di kush je, shenjti i Hyut».

35Jezusi e qortoi, tue thanë: «Mej e dil prej tij!» Dreqi e shkapeti në midis dhe doli prej tij pa kurrfarë dami.

36Të gjithë u mahnitën e flitnin me njani-tjetrin tue thanë: «Çka asht kjo e folun? Se me pushtet e fuqi i urdhnon shpirtnat e papastër e ata dalin».

37E doli zani për të anembanë vendit.

Jezusi shëron shumë vetë

38Mbasi doli nga sinagoga, hyni në shtëpinë e Simonit. Vjehrra e Simonit ishte tue vuejt prej etheve të forta dhe i banë një kërkesë për të.

39Ai qëndroi i përkulun mbi të, u bërtiti etheve dhe ato e liruen. Ajo u çue menjëherë e u shërbente.

40Tue perëndue dielli, çuen tek ai të gjithë ata që kishin lëngata për shkak të sëmundjeve të ndrshme. Ai vinte duert mbi secilin prej tyne dhe i shëronte.

41Djajtë dilnin prej shumë vetëve, tue bërtitë e tue thanë: «Ti je biri i Hyut!». Por ai u bërtitte, për mos me i lanë me folë, se e dinin se ai ishte Krishti.

Nëpër Sinagogat e Judesë

42Kur u ba ditë, doli e shkoi në një vend të pabanuem. Turmat e kërkonin dhe, kur shkuen deri te ai, e pengonin, që të mos largohej prej tyne.

43Por ai u tha: «Me duhet me e kumtue lajmin e mirë të mbretnisë së Hyut edhe në qytetet e tjer, se për këtë jam dërgue.»

44E predikonte nëpër sinagogat e Judesë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help