Kantiku i Kantikëve 5 - Albanian Bible 1994(ALBB)

1Hyra në kopshtin tim, o motra ime, nusja ime, mblodha mirrën time me balsamin tim, hëngra huallin tim me mjaltin tim, piva verën time me qumështin tim. Shokë, hani, pini; po, dehuni, o të dashur!

2Unë flija, por zemra ime përgjonte. Dëgjoj zërin e të dashurit tim, që troket dhe thotë: "Hapma, motra ime, mikja ime, pëllumbesha ime, e përkryera ime, sepse koka ime është gjithë vesë dhe kaçurrelat e mia gjithë cirka të natës.

3E hoqa rrobën time, si mund ta vesh përsëri? I lava këmbët, si mund t'i fëlliq përsëri?

4I dashuri im e vuri dorën te vrima e derës, dhe të përbrendshmet e mia u ngashëryen nga ai.

5U ngrita për t'i hapur derën të dashurit tim, dhe nga duart e mia pikoi mirra, nga gishtërinjtë e mi mirra e lëngët, që rridhte mbi dorezën e bravës.

6Ia hapa të dashurit tim, por i dashuri im ishte tërhequr dhe kishte ikur; zemra ime ligështohej kur ai fliste. E kërkova, por nuk e gjeta; e thirra, por ai nuk m'u përgjigj.

7Rojet që sillen nëpër qytet më gjetën, më rrahën, më plagosën; rojet e mureve më çorën velin.

8Unë ju lutem shumë, o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t'i thoni? I thoni se jam e sëmurë nga dashuria.

9Çfarë ka më tepër i dashuri yt se një i dashur tjetër, o më e bukura midis grave? Çfarë ka i dashuri yt më tepër se një i dashur tjetër, përse përgjërohesh kështu?

10I dashuri im është i bardhë dhe i kuq, ai dallon ndër dhjetë mijë veta.

11Koka e tij është ar i kulluar, kaçurrelat e flokëve të tij janë rrica-rrica, të zeza korb.

12Sytë e tij janë si ato të pëllumbit pranë rrëkeve të ujit, të lara në qumësht, të ngallmuara si një gur i çmuar në një unazë.

13Faqet e tij janë si një lehe balsami, si lehe barërash aromatike; buzët e tij janë zambakë, që nxjerrin mirra të lëngët.

14Duart e tij janë unaza ari, të stolisura me gurë të çmuar; barku i tij është fildish që shndrit, i mbuluar me safirë.

15Këmbët e tij janë kolona mermeri të mbështetura në themele ari të kulluar. Pamja e tij është si Libani, madhështore si cedrat.

16Goja e tij është vetë ëmbëlsia; po, ai është tërheqës në çdo pikëpamje. Ky është i dashuri im, ky është miku im, o bija të Jeruzalemit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help